Skip to content

Forcat e sigurisë hapin zjarr ndaj protestuesve në Mianmar, dy të vrarë

Të paktën dy persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur forcat e sigurisë qëlluan me plumba drejt protestuesve në veri të Mianmarit, sipas mediave lokale.

Ushtarët shkrepën disa të shtëna për të shpërndarë turmën në Myitkyina, kryeqyteti i shtetit të paqëndrueshëm Kachin, njoftoi media lokale “Myitkyina News Journal”.

“Myitkyina News Journal” postoi fotot e dy protestuesve të qëlluar në kokë dhe të personave që u plagosën nga plumbat e vërtetë.

Grushti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Ndërkohë Turqia dënoi grushtin e shtetit ndërsa kritika dhe reagime të ndryshme erdhën edhe nga vende të ndryshme perëndimore.

Qytetarët e Mianmarit me 6 shkurt filluan protestat kundër grusht shtetit me kërkesën për kthimin në demokraci. Në ndërhyrjet e armatosura të forcave të sigurisë kanë humbur jetën të paktën 60 protestues dhe vazhdon burgosja e mbi 1.500 personave të tjerë.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrestim.