Skip to content

Forcat e sigurisë në Sri Lankë shkatërrojnë kampin e protestuesve

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Forcat e sigurisë së Shri Lankës kanë shkatërruar kampin kryesor të protestuesve anti-qeveritar, të vendosur në kryeqytet, teksa ky operacion gjatë natës ka rritur shqetësimet ndërkombëtare.

 

Forcat speciale, të armatosur me pushkë automatike, larguan protestuesit të cilët ishin të vendosur pranë Presidencës.

 

Qindra ushtarë larguan barrikadat e protestuesve të vendosura pranë ndërtesës, ndërsa protestuesit e fundit që kishin mbetur në rezidencën presidenciale, u larguan nga ushtria.

 

Ky operacion ndodhi disa orë pasi presidenti i ri, Ranil Wickermesinghe, zgjodhi kryeministrin e ri me qëllim që të menaxhohet kriza ekonomike që ka nxitur protesta në shtet tash e disa muaj.

 

Wickremesinghe u zgjodh në postin e presidentit të mërkurën, duke zëvendësuar Gotabaya Rajapaksën, i cili u largua për në Singapor për shkak të protestave masive.

Qytetarët që ende po protestojnë po kërkojnë që Wickremesinghe po ashtu të japë dorëheqje, pasi po e akuzojnë atë se po mbron klanin e Rajapaksës, i cili ka dominuar skenën politike të vendit në dy dekadat e fundit.

 

Në mëngjesin e së premtes, policia dhe ushtarët e armatosur me pushkë automatike pastruan rrugët kryesore që çojnë drejt Presidencës.

 

Por, protestuesit, që gjenden pranë ndërtesave qeveritare dhe Presidencës, kundërshtuan veprimet e autoriteteve dhe kërkuan mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ata janë zotuar se do të vazhdojnë protestat.

 

Në deklaratën e policisë u tha se forcat e sigurisë “kanë pastruar Sekretariatin Presidencial nga protestuesit, duke i larguar nga ata edhe nga porta kryesore dhe zona përreth”.

 

“Nëntë persona janë arrestuar. Dy prej tyre janë lënduar”, u tha në njoftim.

 

Ambasadorja amerikane në Shri Lankë, Julie Chung, tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” me veprimet e ushtrisë.

 

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të përmbahen dhe të ofrojnë trajtim mjekësor për të lënduarit”, shkroi ajo në Twitter.

 

Protestat në Shri Lankë, që çuan në largimin e presidentit Gotabaya Rajapaksa, u nxitën nga kriza ekonomike dhe mungesa e furnizimeve të ushqimeve, karburanteve dhe produkteve të tjera elementare.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë