Ushtarët izraelitë ndërhynë në demonstratat e mbajtura në hyrje të qyteteve Ramallah dhe Al-Bireh në Bregun Perëndimor me rastin e 74-vjetorit të Ditës së Nakbës (Fatkeqësia e Madhe), ndërsa palestinezët iu përgjigjën me gurë ushtarëve izraelitë.

Sipas një deklarate me shkrim nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, si pasojë e incidenteve mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve në hyrje të qyteteve Ramallah dhe Al-Bireh kanë mbetur të plagosur 10 palestinezë, 7 prej të cilëve me plumba të vërtetë dhe 3 me plumba plastikë.

Nga ana tjetër, siç bën të ditur agjencia zyrtare palestineze e lajmeve “WAFA”, incidente të ngjashme u shënuan gjithashtu përreth Universitetit Teknik Palestinez “Huduri” në Tulkarm dhe në kampusin qendror të Universitetit “Al-Quds” në Abu Dis, ku dhjetëra studentë u prekën nga gazi lotsjellës.

Palestinezët e përkujtojnë 15 majin si Dita e Fatkeqësisë së Madhe (Nakba) që kur Izraeli shpalli pavarësinë e tij në territoret palestineze të pushtuara më 14 maj 1948 dhe i detyroi palestinezët të emigrojnë.

Gjatë Nakbës, forcat izraelite vranë mijëra palestinezë, zhvendosën me forcë dhe internuan afro 1 milion palestinezë nga tokat e tyre, si dhe shkatërruan 675 fshatra e qytete palestineze.

Nakba bëri që 80% e palestinezëve të jetojnë ende si refugjatë në hapësira gjeografike të ndryshme.
Burimi: Trt Shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re