Forcat izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë vrarë gazetaren e Al Jazeera-s, Shireen Abu Akleh, ka thënë Ministria e Shëndetësisë palestineze.

Ajo u qëllua në kokë teksa ndiqte sulmet izraelite në qytetin e Jenin-it, pas së cilës u transportua në spital në gjendje kritike. “Ajo u shpall e vdekur atje”, tha ministria.

Rrethanat e vdekjes së saj nuk janë ende të qarta, por një video e ngjarjes tregon se Abu Akleh është goditur në kokë, pretendon Nida Ibrahim i Al Jazeera-s.

“Ajo që dimë deri tani është se ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi vdekjen e saj. Shireen Abu Akleh raportoi për ngjarjet që ndodhën në Jenin, më saktësisht, sulmin izraelit në qytetin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, kur ajo u godit me një plumb në kokë”, tha Ibrahimi nga qyteti palestinez Ramallah.

Duke folur me lot, Ibrahim tha se Abu Akleh ishte një “gazetare shumë e respektuar” që kishte punuar për Al Jazeera-s që nga fillimi i Intifadës së dytë palestineze në 2000.

Sipas ministrisë, një tjetër gazetar palestinez u godit me një plumb në shpinë. Ky është Ali Samudi, i cili punon për gazetën Quds në Jerusalem, por është në gjendje të qëndrueshme.

Shumë në Palestinë dhe jashtë saj kanë shprehur tronditje në mediat sociale për vrasjen e Abu Akleh.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re