Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar me temë, “Gjendja e sigurisë kibernetike dhe masat e marra për forcimin e mbrojtjes kibernetike në Republikën e Shqipërisë”.

Presidenca përmes një njoftimi për mediat raporton se në këtë takim është bërë një analizë e gjendjes së sigurisë kibernetike dhe masat e marra nga institucionet për forcimin e mbrojtjes kibernetike në infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit.

Nga raportimet e institucioneve dhe diskutimet e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar konstatohet se përgjatë një viti është bërë progres në forcimin e kapaciteteve dhe mbrotjes kibernetike në vend.

Nga ana tjetër Republika Islamike e Iranit e ka zgjeruar veprimtarinë e saj kërcënuese dhe sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar dhe më komplekse.

Ndërkohë në lidhje me këtë siguri, Institucionet AKSHI dhe AKCESK dhe institucionet e tjera do vijojnë  bashkëpunim me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n, si dhe vende të tjera partnere dhe aleate për forcimin e mbrotjes kibernetike.

Do vijojmë me përmirësimet e duhura ligjore, investimet në teknologji, arsimimin, trajnimin dhe ndërgjegjësimin e specialistëve, ekspertëve dhe të gjithë përdoruesve të cilët kanë akses në sisteme teknologjike për krijimin e kultura së sigurisë kibernetike.

Në këtë takim të sotëm, u diskutua edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare, të cilat janë kryesisht të lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani, qofshin këto në formën e propagandës apo formave hibride. Institucionet ligjzbatuese dhe ato përgjegjëse në fushën e sigurisë kombëtare do vlerësojnë dhe informojnë  në mënyrë të vijueshme partnerët dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë lidhur me kërcënimet që vijnë nga Irani dhe vendosmërinë e Shqipërisë se nuk do të lejojë aktivitetin e asnjë individi apo grupi në dëm të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Institucionet të bëjnë vlerësimin e kërcënimit dhe rrezikut dhe do të marrin masa për forcimin e kapaciteteve të mbrotjes kibernetike, mbrojtjes ajrore, forcimit të strukturave të inteligjencës për grantimin e sigurisë kombëtare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re