Ky vit duket se ka qenë më i lehtë për Shqipërinë përsa i përket numrit të pacientëve të shtruar në spital për Covid. Krahasuar me vitin që lamë pas, numri i të shtruarve është përgjysmuar.

“Krahasuar me një vit më parë, natyrisht kemi një trend më të ulët të numrit të shtrimeve që paraqiten në infektiv, por jemi një vit pas. Çka do të thotë ka filluar procesi i vaksinimit ose një pjesë e popullatës ka rënë në kontakt, por që është një përqindje e vogël”-tregoi në një intervistë për mediat infeksionistja Esmeralda Meta.

Por duket se javët e fundit, numri i të prekurve me Covid që shtrohen në spital ka njohur një rritje. Mesatarisht në ditë shtrohen 20 deri në 30 pacientë. Por sipas mjekes infeksioniste pranë spitalit infektiv, nuk ka patur raste të riinfektimit të pacientëve që të jenë shtruar sërish. Por sipas mjekes, shumica e të shtruarve paraqesin problematika në frymëmarrje.

“Nëse do t’i referoheshim javëve të fundit, jemi në trend të njëjtë, madje në pak tendencë rritëse. Kryesisht rastet që paraqiten janë ato të formave të moderuara ose të rënda. Normalisht paraqiten 20- 30 raste në ditë për t’u hospitalizuar.

Përqindja më e madhe janë pacientë të pavaksinuar. Ne nuk kemi patur raste të riinfektimit. Përgjithësisht janë grupmoshat adulte që janë në spital, duke filluar nga 25-29, deri tek grupmosha e tretë. Shenjat klinike janë të njëjta, përgjithësisht me insuficencë respiratore“-tha mjekja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re