Ndër vite, sipas Ministrisë së Turizmit, strukturat akomoduese kanë operuar në mënyrë informale, duke cenuar konkurrencën. Për këtë arsye, me projektligjin e ri, Ministria e Turizmit i detyron ato që të pajisen me një certifikatë kategorizimi, ku përcaktohet nëse është apartament, dhomë, vilë, hotel, etj. Nëse pas miratimit të ligjit, subjektet kapen pa certifikatë kategorizimi, dënohen me gjobë bazuar në numrin e dhomave.

“Situata dinamike e turizmit në Shqipëri diktoi këto ndryshime në projektligj. Gjëja që u diktua më shumë nga zhvillimet dinamike të turizmit është ajo ku edhe projektligji fokusohet më së shumti dhe sektori i ka ndjerë si probleme më të rëndësishme, flasim për informalitetin. Kjo ka të bëjë me kategorizimin e disa strukturave akomoduese që kanë operuar në sektor, por nuk kanë qenë të kategorizuara apo certifikuara, duke cenuar cilësinë e shërbimit dhe duke rritur informalitetin”, thotë zëvendësministrja e Turizmit, Vilma Bello.

Me qëllim rritjen e sigurisë për turistët, por edhe nxitjen e veprimtarisë turistike në zonat rurale, për shtigjet turistike së shpejti do të ketë një rregullore të re.

“Krijohet një rregullore e re ose një pasaportë e re për shfrytëzimin e shtigjeve që lidhet jo thjesht me tipologjinë e shtigjeve, por edhe me hartëzimin e tyre, një sinjalistikë për to. Informimi për këto shtigje do të bëhet digjital”,  thotë Bello.

Ministria e Turizmit do të dënojë edhe mungesën e vrojtuesve të plazhit me gjobë 200 mijë lekë ose në rastin kur subjekti është përsëritës, gjoba rritet në 400 mijë lekë. /

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re