Shqipëria do të organizojë ditën e sotme Ministerialin e Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), duke përmbyllur presidencën njëvjeçare nën moton ‘Formësojmë të ardhmen tonë europiane’.
“Nxitja e Stabilitetit dhe Prosperitetit përmes Bashkëpunimit Rajonal dhe Integrimit në BE” është tema e këtij sesioni plenar që do të hapet nga presidenti Begaj në cilësinë e Kryetarit në detyrë të Samitit të SEECP. Samiti ka për qëllim nxitjen e Stabilitetit dhe Prosperitetit me ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve dhe integrimin në BE. Kryeministri Rama dhe ministri Hasani theksuan se ‘vendi ynë mbetet i angazhuar për të nxitur integrimin evropian të rajonit, në kuadër të këtij forumi me 13 vende pjesëmarrëse’. Kreu i qeverisë shkruan se vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE. “Shqipëria, sërish në qendër të diplomacisë ndërkombëtare. Më 16 qershor 2025, zhvillohet Ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore #SEECP Vendi ynë është i angazhuar plotësisht për të nxitur përparimin e vendeve të rajonit drejt integrimit në BE”, shkruan Rama.
Sipas agjendës në orën 14:30 – 15:15 do të zhvillohet pritja e delegacioneve nga presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe më pas fjalë hapëse prej kreut të shtetit. Presidenti Bajram Begaj pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me homologë dhe liderët pjesëmarrës për të thelluar më tej bashkëpunimin e Shqipërisë me këto vende. Në mbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i kalojë homologut të tij bullgar Radev kryesinë e radhës të SEECP-së.
Në fund, pritet të mbahet edhe një deklaratë për shtyp nga Begaj, presidentja e RMV Gordana Siljanovska-Davkova dhe ai i Bullgarisë Rumen Radev. Shqipëria si kryesuese e radhës e SEECP për periudhën qershor 2024 – korrik 2025 nën sloganin “Formësimi i së ardhmes sonë europiane” ka kontribuuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, për zbatimin e objektivave të Tregut të Përbashkët Rajonal, si dhe duke përshpejtuar procesin e integrimit evropian. SEECP përbëhet nga 13 vende pjesëmarrëse, të cilat janë edhe anëtare të Bordit të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), si: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Kosova dhe Turqia.
Ky forum bashkëpunimi rajonal synon forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis të gjithë Pjesëmarrësve nga Evropa Juglindore (EJL) dhe transformimin e këtij rajoni në një zonë paqeje, sigurie, stabiliteti dhe bashkëpunimi, me qëllimin kryesor integrimin e plotë të EJL-së në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Tirana mori kryesimin e SEECP-së për periudhën korrik 2024 – qershor 2025, pas kryesimit të mbajtur më parë nga Shkupi, dhe do t’i pasohet në vijim Sofjes. Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore u iniciua në vitin 1996 gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në Sofje, ndërsa Samiti i parë i SEECP-së u zhvillua në Kretë në vitin 1997./Gazeta Panorama