
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka përshëndetur votëbesimin në Parlament të qeverisë së re të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Kos ka uruar kryeministrin Albin Kurti dhe është shprehur se pret me padurim për të vizituar Kosovën.
Kos tha gjithashtu se fokusi i Kosovës tani duhet të jetë në avancimin e reformave të BE-së dhe marrjen e përfitimeve të Planit të Rritjes në Kosovë.
“Lajm i mirë nga Prishtina sot. Kuvendi është në detyrë. Një qeveri e re ka marrë detyrën. Urime Kryeministër Albin Kurti. Fokusi tani mund të zhvendoset në avancimin e reformave të BE-së dhe sjelljen e përfitimeve të plota të Planit të Rritjes në Kosovë. Pres me padurim të vizitoj Kosovën së shpejti”, ka shkruar Marta Kos
Edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e ka cilësuar formimin e qeverisë së re të Kosovës si një zhvillim inkurajues pas më shumë se një viti bllokim politik.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kallas uroi kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, si dhe dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.



