Ditën e djeshme, pastori Akil Pano, publikoi në faqen e tij personale në rrjetet sociale, një letër, ku pretendohej se shfaqen një formular kopshti, me termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Menjëherë ky dokument, u bë lajm nga shumë media, pa u verifikuar.

Lidhur me ngjarjen, ka reaguar Bashkia e Tiranës, e cila thotë se ky formular nuk ekzsiton, duke e quajtur lajmin të pavërtetë. Bashkia ka publikuar edhe formularin që përdoret nga ky institucion në kopshtet e kryeqytetit.

“Formulari që qarkulloi ditën e djeshme në rrjetet sociale, në të cilin fjalët ‘nënë’ dhe ‘baba’ ishin zëvendësuar me termat ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’ për regjistrimin në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës është i pavërtetë. Formularët që përdoren nga Bashkia e Tiranës janë vetëm këto në foto dhe shoqërohen me logon zyrtare të Bashkisë së Tiranës.”- thuhet në reagimin e Bashkisë. (forumali më poshtë).

Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar edhe shoqatat për mbrotjen e komunitetit LGBT+, të cilat e vënë theksin tek mungesa e profesionalizmit nga mediat, të cilat rendën të publikojnë një lajm të paverifikuar, pas postimit të një pastori, duke shkaktuar reagime shumë agresive ndaj këtij komuniteti në rrjetet sociale.

“Aleanca LGBT dhe Pro LGBT detyrohen të informojnë publikun lidhur me pavërtetësinë e lajmeve të publikuara në media gjatë dy ditëve të fundit. Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve prindi 1 dhe 2. Ne si organizata ndajme të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Për sa kohë nuk dimë absolutisht më tepër se kaq, pyesim!
Nuk e dimë nëse këtë informacion duhet të na e vendosin në dispozicion priftërinjtë apo mediat në funksion të tyre. Mungesa e profesionalitetit të medias në këtë rast është jashtë çdo standardi të gazetarisë etike dhe nuk ka asnjë funksion përveç montimit të informacionit për konsum publik pa asnjë filtër. Kërkojmë nga media dhe gazetarët të distancohen nga kjo praktikë e papranueshme dhe të luajnë rolin e tyre investigues e informues, të pavarur dhe të pandikuar, në vend që të kthehen në burim keqinformimi dhe shpifjeje, duke na përballur padrejtësisht e për të disatën herë me valë të stisura urrejtjeje.”

/TPZ.al/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re