Dita e parë e shkollës këtë vit nisi krejt ndryshe.
Kushtet e reja të pandemisë do të diktojnë edhe sjelljet e nxënësve e mësuesve të cilët duhet të përshtaten me normalitetin e ri. Mbajtja e maskës ruajtja e distancës, dhe dezinfektimi i vazhdueshëm, janë rregullat strikte që detyrojnë çdo nxënës t’i zbatojë në ambientet e shkollës.
Nxënësit e turnit të parë, u paraqitën në shkollë në orën 7:30. Vetëm pas matjes së temperaturës dhe konfirmimit të formularit të vetdeklarimit që nuk kanë shqetësime shëndetësore nga prindërit e tyre, nxënësit u futën në mjediset shkollore.
Frika nga infektimi me virusin e ri ekziston jo vetëm nga nxënësit, por edhe nga prindërit e gjyshërit, të cilët pavarësisht kësaj nuk do e zgjidhnin kurrsesi mësimin në distancë, veçanërisht për më të vegjlit.
Edhe mësuesit e pranojnë që ky vit i ri shkollor do të jetë sfidues nën këto kushte.
Pas përfundimit të mësimit, nxënësit u shprehën se e patën të vështirë t’i respektojnë rregullat veçanërisht mbajtjen e maskës.
Mësimi në distancë mbetet ende një skenar i mundshëm, i cili do të vihet në zbatim në rastet kur një nxënës është i sëmurë apo në rast infektimi, që do të sjellë karantinim e klasës apo gjithë shkollës.
