Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) i vazhdoi edhe të premten takimet dypalëshe me liderët që kanë ardhur në Antalie për të marrë pjesë në Samitin e Vendeve të Evropës Juglindore dhe Forumin e Diplomacisë së Antalies.
Presidenti Erdoan u takua me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Takimi ka qenë i mbyllur për mediat, ndërsa është mbajtur në Qendrën e Kongreseve NEST, ku u zhvillua edhe forumi.
Më herët gjatë ditës, presidentja Osmani mori pjesë në panelin e liderëve të titulluar “Qeverisja globale: Qasje të reja për zgjidhje globale”.
Gjatë fjalimit të saj në panel, Osmani rikujtoi fillimin e pandemisë dhe nevojën për pajisje mjekësore, duke shtuar se kanë kërkuar mbështetje nga Turqia, Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA.
“Kur u përballëm me sfidat e para, ne thirrëm Presidentin (Rexhep Tajip) Erdoan dhe ai nuk dërgoi vetëm një aeroplan me pajisje mjekësore, por ai dërgoi dy. Ishte ndihma jonë e parë, për të na ndihmuar të mbijetojmë”, theksoi Osmani.
Presidenti Erdoan pati takime edhe me Presidentin e Kenias Uhur Kenyatta, Presidentin e Malit të Zi Millo Gjukanoviç, Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Edhe këto takime u mbajtën pa praninë e mediave.
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë Forumi Ndërkombëtar i Diplomacisë në Antalya priti dhjetë krerë shtetesh dhe qeverish, 42 ministra të jashtëm, tre ish-krerë të shteteve dhe qeverive, mbi 50 përfaqësues të organizatave ndërkombëtare ose ish-zyrtar të qeverisë.
Gjatë forumit treditor u zhvilluan diskutime për çështje me rëndësi globale, përfshirë Ballkanin, të ardhmen e Evropës, marrëdhëniet trans-atlantike, refugjatët dhe migrantët, si dhe kërcënimi nga terrorizmit.
