Skip to content

“Foshnjat lindin me 8,100 euro borxh!”, Blushi: Buxheti 2027 antisocial, pensionistëve u duhet një shekull për të arritur fuqinë blerëse europiane

tedi blushi 2

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin e vitit 2027, duke e cilësuar atë si “buxhetin më antisocial”, që sipas tij nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët. Në një deklaratë publike, Blushi akuzoi qeverinë e Edi Ramës për paraqitjen e një realiteti ekonomik që, sipas tij, nuk përputhet me treguesit realë të ekonomisë, duke vënë në fokus kursin e këmbimit, rënien e eksporteve, dobësimin e prodhimit vendas dhe rritjen e deficitit tregtar.

Sipas tij, projektbuxheti është ndërtuar mbi parashikimin e një kursi këmbimi prej 96 lekësh për një euro, ndërkohë që aktualisht euro këmbehet me rreth 89 lekë. Blushi pretendon se kjo diferencë tregon pasaktësi në parashikimet mbi të cilat janë mbështetur llogaritë buxhetore.

Ai u ndal edhe te ecuria e eksporteve shqiptare, duke deklaruar se ato kanë pësuar rënie të vazhdueshme që prej vitit 2022. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, eksportet kanë zbritur nga rreth 4.8 miliardë euro në 3.4 miliardë euro në vitin 2025, një tkurrje prej afro 28%. Blushi e konsideroi këtë si tregues të dobësimit të prodhimit vendas dhe humbjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Blushi krahasoi gjithashtu skemën shqiptare me atë të Serbisë, duke pretenduar se kjo e fundit ofron mbështetje më të lartë financiare për lindjen e fëmijëve. Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga Blushi, një pensionisti shqiptar në Shkodër do t’i duheshin rreth 100 vite për të arritur fuqinë blerëse që kanë sot pensionet mesatare europiane, ndërsa për një pensionist në Ulqin kjo periudhë do të ishte rreth 14 vite dhe për një pensionist në Strugë rreth 23 vite. Ai kritikoi gjithashtu nivelin e borxhit publik, duke pretenduar se ai arrin në 16.2 miliardë euro, çka sipas përllogaritjeve të tij përkthehet në rreth 8,100 euro borxh për çdo shqiptar. Sipas tij, kjo është një barrë që rëndon edhe mbi brezat e rinj.

DEKLARATA
Buxheti 2027 i Edi Ramës është buxheti më antisocial, buxheti i mashtrimit dhe i vjedhjes, i tatëpjetës ekonomike, i pikiatës së euros, të prodhimit, të eksporteve dhe të shërbimeve!
Ky buxhet nis me mashtrimin e madh të kursit të këmbimit.
Qeveria e ka ndërtuar mbi parashikimin e një euroje që këmbëhet me 96 lekë, ndërkohë që sot 1 euro këmbet me 89 lekë.
Pra, edhe në themel të llogarive buxhetore, qeveria projekton një realitet që nuk përputhet me atë që po ndodh në ekonomi.
Kjo është vetëm njëra anë e mashtrimit.
Ky është buxheti i një ekonomie që nuk po e kthen rritjen e saj në mirëqenie për qytetarët, në rritje të prodhimit dhe të eksporteve.
Për një ekonomi të vogël që mbështetet te tregjet e huaja për të nxitur rritjen, eksportet janë barometri më i saktë i vitalitetit ekonomik, i konkurrueshmërisë dhe i aftësisë prodhuese të një vendi.
Nga viti 2022, eksportet shqiptare kanë hyrë në një trajektore të pandërprerë rënëse, duke zbritur nga rreth 4,8 miliardë lekë në vetëm 3,4 miliardë lekë në vitin 2025, pra një tkurrje totale prej gati 28%.
Kjo është dëshmi e dobësimit të ekonomisë prodhuese, e humbjes së tregjeve dhe e rënies së konkurrueshmërisë.
Pra një vend që prodhon gjithnjë e më pak, importon gjithnjë e më shumë dhe që mbështetet te konsumi, ndërtimi dhe turizmi.
Përmasat e këtij dështimi bëhen edhe më të qarta kur krahasohemi me rajonin.
Në vitin 2025, Maqedonia e Veriut eksportoi rreth 8 miliardë euro mallra, 122% më shumë se Shqipëria, e cila eksportoi vetëm rreth 3,6 miliardë euro.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT-it, Shqipëria e mbylli vitin 2025 me vetëm 3.4 miliardë lekë eksporte, kundrejt 8,8 miliardë lekëve importe.
Deficiti tregtar arriti në rreth 5.4 miliardë euro, ndërsa eksportet mbuluan vetëm 39% të importeve.
Me fjalë të tjera, për çdo 100 lekë mallra që importojmë, arrijmë të eksportojmë vetëm 39 lekë.
Ndërsa fytyra antisociale e Buxhetit 2027 duket më qartë ste mbështetja te dy skajet e jetës, te foshnjat që sapo lindin dhe te pensionistët që kanë kaluar një jetë të tërë në punë.
Sipas përllogaritjes së borxhit publik prej 16,2 miliardë eurosh, çdo shqiptar mbart mbi supe rreth 8 100 euro borxh.
Kjo do të thotë se një foshnjë shqiptare e nis jetën me një faturë borxhi që nuk e ka krijuar dhe për të cilën nuk mban asnjë përgjegjësi.
Ndërkohë, çfarë ofron qeveria për të mbështetur lindjen dhe rritjen e fëmijëve? Skema e re e prezantuar parashikon, nga korriku 2027, mbështetje mujore deri në moshën pesëvjeçare, 5 mijë lekë për fëmijën e parë, 7 mijë lekë për të dytin dhe 10 mijë lekë për të tretin, sipas kritereve të përcaktuara për përfituesit. Pra, edhe kjo mbështetje nuk është një e drejtë universale për çdo foshnjë, por një ndihmë e kushtëzuar nga të ardhurat familjare.
Ndërsa vende të rajonit, si Serbia, kanë ndërtuar skema mbështetjeje shumë më të konsiderueshme për lindjen e fëmijëve.
Serbia mbështet lindshmërinë me 4,260 euro për fëmijën e parë, 5,112 euro për të dytin, 19,427 euro për të tretin dhe 27,000 euro për fëmijën e katërt.
Po aq dramatike është situata e pensionistëve. Sipas të dhënave të raportit të Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, fuqia blerëse e pensionit mesatar në Shqipëri është vetëm rreth 19% e mesatares së Bashkimit Europian.
Një pensionist në Malin e Zi, pra një shqiptar i Ulqinit ka fuqi blerëse rreth tri herë më të lartë se një pensionist shqiptar në Shkodër.
Sipas të njëjtit krahasim, një pensionisti shqiptar në Ulqin të Malit të Zi i duhen rreth 14 vite për të arritur fuqinë blerëse të sotme të pensioneve mesatare europiane, ndërkohë që një pensionisti shqiptar në Shkodër i duhet 100 vite.
Një pensioni shqiptar në Strugë të Maqedonisë së Veriut i duhen 23 vite për të arritur nivelin mesatar të pensionit europian, ndërsa një pensionisti shqiptar në Pogradec, i duhet edhe 1 shekull jetë.
Një shekull!
Ky është horizonti që u ofron pensionistëve shqiptarë kjo politikë ekonomike për të arritur nivelin e sotëm europian të fuqisë blerëse të pensioneve.
Qeveria mund të flasë për dyfishim të bonusit mujor, për indeksim dhe për miliarda lekë të parashikuara në buxhet. Por pensionistët nuk jetojnë me shifra.
Ky buxhet nuk ndërton të ardhmen e fëmijëve, nuk garanton pleqëri dinjitoze, nuk mbron prodhimin vendas dhe nuk u jep frymëmarrje eksportuesve e bizneseve të shërbimeve. Ai nuk matet me propagandën e qeverisë, por me jetën reale të qytetarëve.
Një foshnjë e nis jetën me 8 100 euro borxh. Një pensionisti i duhet një shekull për të arritur fuqinë blerëse të pensioneve europiane. Dhe qeveria e quan këtë buxhet zhvillimi!
Ky është Buxheti Antisocial 2027, një buxhet që ua faturon korrupsionin fëmijëve dhe ua vështirëson duke ua pamundësuar pensionin dinjitoz pensionistëve.