Është zbardhur dëshmia e 50-vjeçarit shqiptar, bashkëpunëtor në vrasjen e noteres 69-vjeçare në Zakynthos, nga shtetas shqiptarë në tentativë për t’i vjedhur paratë.
Sipas dëshmisë së 50-vjeçarit, i cili banonte në Nemea, ideja për grabitjen i përkiste 54-vjeçarit (autorit), i cili prej muajsh i fliste për viktimën, duke pohuar se ajo kishte shumë para në shtëpi.
Kur bashkëpunëtori i shprehu hezitime, ai i tha: “Mos u shqetëso, gjithçka do shkojë mirë, nuk do lëndojmë njeri.”
Ata bënë vëzhgime një ditë para ngjarjes dhe ndoqën nga afër lëvizjet e noteres, të cilën 54-vjeçari e kishte nën vëzhgim dhe dinte që largohej nga zyra çdo ditë në orën 20:00.
Të dy burrat, të punësuar më parë në ndërtim, kishin vendosur të vepronin mëngjesin e asaj dite fatale. Sipas 50-vjeçarit, 54-vjeçari mori me vete një thikë nga kuzhina, pavarësisht se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe refuzoi ta shtynte planin, edhe pse bashkëpunëtori i tij i kërkoi të presin.
Të maskuar dhe me doreza për të mos lënë gjurmë, ata i zunë pritë 69-vjeçares kur ajo u kthye në shtëpi. Ajo nisi të bërtiste, dhe 50-vjeçari i kërkoi bashkëpunëtorit të dorëzoheshin dhe të iknin, por 54-vjeçari refuzoi.
Në momentin vendimtar, kur viktima vazhdonte të bërtiste dhe përpiqej të shpëtonte, ndodhi përplasja fatale. Sipas 50-vjeçarit, ai pa të dy të përlesheshin në tokë, me 69-vjeçaren të gjakosur rëndë në dysheme, pasi ishte goditur me thikë në kofshën e majtë, plagë që çoi në hemorragji fatale.
Pavarësisht se gruaja po humbiste gjak në mënyrë të pakontrollueshme, 54-vjeçari insistonte të vazhdonin grabitjen, duke mos treguar asnjë shqetësim për gjendjen e saj.
Pas aktit, ata ecën për më shumë se një orë në këmbë për të shmangur kapjen. Më pas u morën nga djali 19-vjeçar i autorit kryesor, i cili kishte rolin e shoferit dhe, sipas dëshmive, kishte hedhur thikën në një arë për të fshehur provat.
Ai ka pretenduar se goditja ndaj viktimës ishte “aksidentale” gjatë përleshjes. Në fund të dëshmisë së tij, 50-vjeçari ka thënë se arsyeja që pranoi të përfshihej në grabitje ishte situata e tij e vështirë financiare dhe borxhet që kishte ndaj tatimeve.