Një aksident ka ndodhur tek “Ura e Tabakëve” në Tiranë ku një automjet me shpejtësi të lartë ka dalë nga rruga dhe ka rrezikuar jetën e dy kalimtarëve të cilët mrekullisht kanë shpëtuar pa lëndime. Ka qenë pikërisht një pemë e cila ka shpëtuar jo vetëm kalimtarët por edhe drejtuesin e automjetit i cili me shumë gjasa do të përfundonte në lumin Lanë.
Në fotot e publikuara nga faqja e Harta Digitale e Aksidenteve Rrugore dallohet automjeti ngjyrë gri i cili ndodhet në trotuarin afër shtratit të lumit Lanë i goditur me pemën.
Vetëm dy ditë më parë një aksident te ‘Xhamlliku’, te rruga “Xhanfize Keko” në Tiranë u mori jetën dy kalimtarëve Erjon Balla, 36 vjeç, dhe Hidajete Salliu, 73 vjeçe, të cilët edhe pse nuk kishin lidhje fare me aksidentin e ndodhur mes dy automjeteve, u përplasën në trotuar nga një ‘Volkswagen Beatles’.