Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha vijon të mbetet i vetmi kandidat për Rektor në Universitetin e Tiranës.

Së fundmi Komisioni Institucional i Zgjedhësve ka shpallur Listën për kandidatë për “ Rektor” dhe “ Anëtar i Senatit Akademik” përfaqësues nga personeli akademik dhe i studentëve.

Ndërkohë, është publikuar edhe lista me kandidatët për drejtues të Departameve në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Kështu Sabri Laçi vijon të jetë i vetmi kandidat për dekan në fakultetin e Histori-Filologjisë.

Për departamentin e Gazetarisë kandidon Mark Marku dhe Valentina Duka në atë të Historisë.
Në departamentin e Gjuhës Shezai Rrokaj, ndërsa në atë të Letërsisë, në garë janë Lili Sula dhe Persida Asllani.

Dhori Kule ka shpallur sfidën për një tjetër mandat në krye të fakultetit të Ekonomisë, ndërsa Romeo Hanxhari kërkon drejtimin e Gjeografisë, Iris Pojani të Arkeologjisë etj

Sipas kryetares së Komisionit Institucional të Zgjedhësve, Majlinda Keta, këta emra të njohur flasin qartë për një proces të ndershëm dhe tregojnë besimin tek institucionalizmi universitar.

“Për 48 orë do të verifikohen edhe aplikimet e studentëve kandidatë për anëtarë të Senatit Akademik, përfaqësues i studentëve, kjo, pasi aplikimi online në orët e fundit e pati të pabërballueshme volumin e dokumentave të tyre me mbi 1500 mbështetës gjithësej( 100 për çdo kandidat) nga sekretaritë mësimore”.

Pas administrimit të emrave do të jetë Komisioni Zgjedhor që do të paraqesë strategjinë për fushatën e kandidatëve, ndërsa Ministrja e Arsimit do të shpallë dhe datën e votimeve.

Sakaq, MAS ka shtyrë datën e zgjedhjeve në universitete në një afat të pacaktuar ndërsa procesi përgatitor do të vijojë për të mundësuar nisjen e fushatës pas shpalljes së datës së re.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re