2 maj Bashkia e Beratit vijon punën për mirëmbajtjen e ansambleve muzeale të lagjes “Mangalem” dhe “Goricë”.

Ditët e fundit aksioni i bashkisë ka përfshirë dy lagjet e njohura të Beratit, që janë një vlerë turistike si për banorët, por dhe një pikë mjaft atraktive për turistët e huaj.

Punonjësit e bashkisë po pastrojnë muret e dy lagjeve muzeale, si dhe i kanë lyer ato me gëlqere.

“Ruajmë traditën dhe vijojmë punën për mirëmbajtjen e mureve dhe sokakëve të Goricës e Mangalemit, ashtu siç i ka hije qytetit tonë”, – shprehet bashkia e Beratit.

Pas pastrimit dhe lyerjes së mureve  “Gorica” dhe “Mangalemi”  shkëlqejnë nga pastërtia, për të pritur në ditët e ardhshme turistët, të cilët për shkak të situatës nga COVID-19 i kanë munguar thuajse përgjatë dy muajve qytetit muze të Beratit.

Ansambli muzeal i lagjes “Mangalem” shtrihet në formë gjysmëharku në pjesën jugore dhe lindore të kodrës së kështjellës. Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson dukurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të fortifikimit gjatë shek. XV-XVI.

Një hijeshi të veçantë arkitekturës së lagjes i jep edhe prezenca e radhës së dyqaneve në rreshtin e parë, aty ku aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre biznese të ndryshme të qendrës historike të qytetit. Në shumicën e literaturës turistike, për vetë kompozimin arkitekturor të ansamblit të “Mangalemit”, Berati cilësohet ndryshe edhe si “Qyteti i një mbi një Dritareve”.

Ndërsa ansambli i lagjes “Goricë” shpaloset në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit atë e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.

Sipas Çelebiut, në shek. XVII lagjja numëronte 200 shtëpi, ndërsa pamjet e sotme arkitektonike të banesave, ashtu si edhe dy lagjet e tjera, u janë nënshtruar rindërtimeve të thella pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1851. Disa banesa dhe porta, në ballin e tyre mbajnë pikërisht datimin e kësaj periudhe rindërtimi, pra, të gjysmës së dytë të shek. XIX./ ATSH

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re