Banesat karakteristike të qytetit të Beratit janë një dëshmi e vyer e diversitetit urbanistik dhe arkitektonik.

Këto banesa reflektojnë influencat e traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 të erës sonë.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet gjithnjë e më shumë restaurimit të banesave në qytetin e Beratit.

Në lagjet muzeale të Beratit ka nisur puna për mirëmbajtjen dhe restaurimin e portave të shtëpive.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat bën të ditur se “shpesh portat në lagjet muzeale kanë pësuar transformime e ndërhyrje të cilat qoftë në formë, në detaje apo dhe në materialet e përdorura nuk kanë asnjë lidhje me monumentin”.

“Nga puna për trajtimin e portave në lagjet historike, këtë herë jemi në Goricë ku atelieja e Beratit ndërhyri për të realizuar portën në banesën e Filip Sinjari duke plotësuar kështu ndërhyrjen totale në fasade dhe në çatinë e kësaj banese të realizuar para pak muajsh”, shprehet DRKK Berat.

Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re