Në qytetin e Beratit u zhvillua sot ceremonia e organizuar për 75-vjetorin e çlirimit të qytetit.

Në këtë ceremoni morën pjesë zv.kryeministri Erjon Braçe, ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo si dhe veteranë, familjarë të dëshmorëve dhe qytetarë të shumtë.

Gjatë fjalës së tij zv. kryeministri Erion Braçe vlerësoi kontributin e kësaj treve në Luftën Anti-Fashiste Nacionale Çlirimtare, duke e quajtur një nga përpjekjet më të lavdishme të popullit për liri dhe pavarësi.

Braçe tha se ky popull kurrë nuk ka zgjedhur të keqen, por ka sakrifikuar për t’u përballur me të keqen.

“Qyteti i Beratit nuk u harrua kurrë, sot kujton një ditë të shënuar si ajo e çlirimit. Sot është një ditë e mirë jo vetëm për Beratin por për kështjellën në Berat. Jemi në qendër të një treve që ka luftuar për vendin. Historia e LANÇ e përmbledh të gjithë përpjekjet historike të banorëve të Skraparit, Beratit Kuçovës, Myzeqesë në përpjekjen për t’i dhënë vendit lirinë. E gjithë kjo trevë ka brenda saj ngjarja historike. LANÇ është një nga përpjekjet më të lavdishme të popullit për liri dhe pavarësi. Ky popull kurrë nuk ka zgjedhur të keqen por ka sakrifikuar për t’u përballur me të keqen. Pa më të voglin diskutim që sot nderi dhe respekti shkon për partizanët për ata 10 batalion që kryesoheshin nga Margarita Tutulani, komandantin Gjin Marku dhe çdo partizan të asaj brigade që çliroi Beratin”, tha Braçe.

Kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo tha se, “sakrifica sublime e Dëshmorëve që ranë për liri meriton Mirënjohje, meriton Përulje, meriton Respektin e pakushtëzuar të të gjithë Beratit e më tej”.

“Përulje, respekt e nderim nga të gjithë gjeneratat e brezat, për dëshmorët e Beratit. Qindra djem e vajza, burra e gra që në orët e errëta të historisë kuptuan përgjegjësinë duke ju bashkuar luftës së drejtë për liri, me çmimin e sakrificës më të lartë, jetën! Nderim dhe reflektim. Gëzuar 13 shtatorin, ditën e Çlirimit të Beratit”, u shpreh ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Çlirimi i Beratit ka qenë një ndër luftrat më heroike të LANÇL, që shënoi edhe kthesën e Luftës në vendin tonë. Në këtë luftë, Gjermanët pranuan që patën humbje të rënda.Merita kryesore i takon Bridagës së shtatë Sulmuese e cila udhëhoqi luftën për këtë clirim. Nga gjiri i kësaj Bridage legjendare janë vrarë apo kanë rënë heroikisht në sheshin e betejës deri në Ish- Jugosllavi, 322 partizanë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re