Në Ditën Ndërkombëtare të Pastrimit në Berat u zhvillua një aksion pastrimi, në rrugët dhe lagjet e qytetit të gurtë.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i pranishëm në këtë aksion tha se “ky aksion u zhvillua për një qytet muzeal më të pastër”.
Ministri Klosi deklaroi se shumë shpejt do t’i jepet një zgjidhje landfillit të Beratit për të eliminuar një gangrenë mjedisore që ndot dhe shkatërron imazhin turistik të qytetit muzeal. “Jemi në fazën e fundit për një ndërhyrje të madhe në landfillin e beratit që është një gangrenë e madhe 30-vjeçare e këtij qyteti” tha ministri Klosi duke theksuar se kjo ndërhyrje do të krijojë standard të ri për menaxhimin e mbetjeve në Berat.
Duke iu referuar nismës “Qesja e fundit” ministri Klosi u shpreh për masa drastike, duke e konsideruar përdorimin e qeseve si një krim mjedisor. Ministri Klosi, përsëriti thirrjen e tij për të gjithë qytetarët që t’i bashkohën nismës “Qesja e fundit” për t’ia dalë mbanë që më 1 qershor 2020 Shqipëria të jetë vendi parë në europë që të zerojë përdorimin e qeseve plastike.
“Do vijojmë në çdo qark, përgjatë gjithë vjeshtës dhe dimrit që qershorin e vitit të ardhshëm t’iu ofrojmë turistëve, Shqipërinë turistike të pastër”, tha Klosi.
Në të gjithë vendin sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Pastrimit janë organizuar aksione pastrimi, për largimin e mbeturinave dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për mos hedhjen e tyre në vendet publike, por vetëm në vendet e caktuara./atsh
