5 nëntor – Dy objekte të veçanta i janë shtuar koleksionit të Muzeut Etnografik, Berat. Objektet në fjalë janë kallëpe që kanë shërbyer për realizimin e paftave të mesit në kostumet tradicionale të grave, të punuara nga Andrea Thanas Plaku.

Këto objekte plotësojnë atelierin e mjeshtrit argjendar duke na dhënë mundësinë të kuptojmë mënyrën se si procedonin mjeshtrit për realizimin e paftave të brezit, me teknikën e rrahjes në fletë metali, kryesisht në argjend.

Argjendarët i kushtonin interes veçanërisht paftave të mesit, si një element të rëndësishëm për zbukurimin e veshjeve të grave në kostumet tradicionale. Këto janë stoli që përdoreshin në veshjet e nusërisë apo në veshjet festive.

Klishetë duhet të jenë punuar për të përfituar një pjesë të punës kryesisht për produktin seri, jo për porosi të veçanta. Fortësia e metalit i jepnin mundësi argjendarit të përfitonte vizatimin e zbukurimores që do të realizonin dhe përpunimin në formë të përgjithshme. 

Objektet të punuara nga argjendari Andrea Thanas Plaku iu dhuruan Muzeut Etnografik nga Agron Dingo – restaurator, ish specialist i DRKK – së që prej shume vitesh jeton e punon në Athinë.

DRKK Berat shkruan se, “një falenderim jo vetëm për dhurimin e këtyre dy objekteve, por për të gjithë kontributin e tij të rëndësishëm si restaurator, kërkues në fushën e trashëgimisë e si piktor i talentuar”. /a.a/ /a.g/



 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re