Për të apasionuarit pas hiking dhe natyrës ekziston një shteg i ri për ecje me distancë të gjatë, por edhe me një natyrë të virgjër. Bëhet fjalë për Shtegun e Ngjyrave, i cili është pjesë i Parkut Natyror Korab-Koritnik.

Ky shteg kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Ekzistojnë disa shtigje lidhëse dhe pika dalëse që çojnë në zona të banuara, që shoqërohen me nivele të ndryshme vështirësie për ecje. Seksioni më i madh i shtegut, rreth 150 km, është në territorin shqiptar ku kalon nëpër Parkun e Natyrës Korab-Koritnik të njohur si një luginë alpine dhe habitat i shumë kafshëve të egra.

Pamja që e rrethon është vërtetë magjike dhe për rreth 7 orë ecje ky shteg do t’ju lëri me gojë hapur. Sezoni i verës është dhe më i bukuri për ta vizituar pasi shumëllojshmëria e luleve të kësaj zone e kthejnë atë në një parajsë të vogël në tokë.

Ekosistemi natyror malor “Parku natyror Korab – Koritnik “, ka një sipërfaqe prej 55,520 ha, apo 555, 5 kilometër katror, pjesë e Rajonit Alpin, i përfshirë në rajonet e Kukësit dhe Dibrës.

Vargmali Koritnik – Gjallicë – Korab, është i vendosur në pjesën verilindore të territorit shqiptar dhe shtrihet nga kufijtë me Kosovën, deri në malin e Deshatit, në pjesën jugore të vendit, duke u kufizuar me Maqedoninë.

Ai është pjesë e rajonit Malor Qendror, të ashtuquajtur Alpet Shqiptare Lindore. Masivi në fjalë ka shumë maja malesh të ndërprera herë pas here nga tektonika radiale, që përfundojnë në formën e grykave apo të luginave.

Habitati më i bollshëm brenda zonës janë kullotat natyrore, tokat e mbuluara me shkurre dhe barishte. Pyjet e ndodhura kryesisht në pjesën veriore të parkut mbulojnë një sipërfaqe të konsiderueshme. Zonat bujqësore janë zakonisht të vendosura pranë fshatrave të banuara.

Habitatet e kullotave dhe livadheve, janë gjithashtu të pranishme në zonë. Zonat shkëmbore malore mbulojnë një pjesë të konsiderueshme të parkut natyror dhe janë me mungesë, ose me mbulesë bimore të pakët.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re