Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka tërhequr vëmendjen me një paraqitje të papritur publike nga burgu i Fierit, ku po vuan dënimin pas shpalljes fajtor për akuzën e kallëzimit të rremë në çështjen e njohur si “Babale”.
Salianji, i arrestuar në shtator të vitit 2024, u shfaq së fundmi në publik teksa ushtroi të drejtën e votës, por ajo që ra në sy ishte ndryshimi i dukshëm në pamjen e tij. Fotot e publikuara tregojnë se ish-deputeti duket ndjeshëm më ndryshe, duke sugjeruar se ka kryer një ndërhyrje estetike për mbjellje flokësh.
Ky detaj ka gjeneruar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit kanë komentuar me ironi faktin që Salianji ka gjetur kohë për kujdes estetik edhe gjatë kohës që ndodhet në burg. Nuk dihet ende nëse ndërhyrja është kryer brenda ambienteve të burgut apo në një institucion shëndetësor të autorizuar jashtë tij.
Pamja e re e politikanit ka hapur diskutime të reja rreth trajtimeve estetike dhe aksesit në to nga të burgosurit, sidomos kur bëhet fjalë për figura publike.

