15 tetor – Muzeu Etnografik në qytetin e Beratit, i krijuar në vitin 1979 në një banesë me arkitekturë karakteristike beratase, ka tërhequr një numër të lartë vizitorësh gjatë ditës së sotme.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat bën të ditur se sot, në ditën e fundit të sezonit turistik, muzeu Etnografik ka pasur një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj, të cilët u njohën me fondin e pasur të këtij muzeu, ku janë ekspozuar një sërë orendish të vjetra të kësaj zone.

Rritja e numrit të turistëve dëshmon se qyteti i Beratit e veçanërisht Muzeu Ikonografik Onufri dhe Muzeu Etnografik janë destinacion i pashmangshëm e të përzgjedhur nga një numër gjithnjë në rritje turistësh.

Gjatë periudhës janar-shtator 2018 këto muzeume u vizituan nga 10 435 vizitorë vendas dhe të huaj.

Muzeu Etnografik është banesë dykatëshe, me çardak në njërin krah. Kati përdhes (hajati) është i pabanuar. Lidhja me katin e dytë është bërë me shkallë guri, të ndërtuara mbi qemere në harkada guri.

Periudha e ndërtimit i përket shekullit të XVIII. Banesa është pjesë e krijimtarisë popullore, ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit vendas. Vëmendja kryesore në këtë banesë i kushtohet hapësirës së hajatit dhe çardakut. Ajo është e pajisur me orendi të palëvizshme, si kamare, sergjenë, dollap muri, pus, oxhaqe etj., të cilat shërbenin për ruajtjen e objekteve shtëpiake.

Banesa është e përbërë nga disa dhoma që shërbenin për të ndenjur, për punë, ngrënie, fjetje, gatim etj. Mjedisi i jashtëm i këtij muzeu shquhet për një kombinim të natyrshëm të objekteve te mëdha muzeale. Pranë pusit është vendosur mëngra (mulliri shtypës), si dhe presa e drunjtë që shërbente për nxjerrjen e vajit nga ulliri. Gjithashtu këtu ka edhe shumë enë të mëdha qeramike që përdoreshin kryesisht për mbajtjen e produkteve të lëngshme. Ky muze ka një fond të pasur me rreth 1200 objekte. /k.s/j.p/





Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re