Fotot e mëposhtme vijnë duke përdorur një alkemi mjetesh, një kamera me sensor të lartë, teleskopë dhe procesorë kompjuterësh. Ajo që krijohet është një laryshi imazhesh që të lënë gojëhapur dhe të bëjnë të kuptosh sesa i pamatë është universi.
Rodney Watters, së bashku me Niall MacNeill, janë dy astrofotografë nga Australia, të cilët kanë përpiluar një libër... vetëm me foto mbresëlënëse. The Guardian i ka kushtuar një artikull pikërisht disa prej fotove të përpiluara prej dy australianëve.
Si kjo foto e Saturnit, i ‘stolisur’ nga unazat e tij që duken të holla si një copë letër kur i sjell në foto.

Apo si kjo foto e nebulas së “Putrës së Maceve”, një mrekulli që ndodhet 4300 vite dritë larg Tokës, planetit tonë të vogël. Kjo do të thotë se drita duhet të udhëtojë plot 4300 vite për të mbërritur në tokë. Kjo nebula është e madhe në diametër plot 80 vite dritë, një hapësirë që mendja e njeriut s’mund kurrsesi ta imagjinojë.

Ky është Jupiteri, ‘mbreti’ i planetëve ose trupi më i madh qiellor në sistemin tonë diellor. Jupiteri, një gjigand gazi, kur sillet në imazh si ky këtu më poshtë, ka një laryshi ngjyrash të jashtëzakonshme… e ndër më ikoniket aji ‘top’ i kuq, i njohur si “Pika e madhe e kuqe”. Në fakt kjo “pikë” është një ciklon gjigand që ndodhet aty prej qindra vitesh dhe nuk ka ndërmend të mbarojë.

Nebula Karina, e cila rrethon yllin Eta Karina. Kjo tjetër mrekulli ndodhet 8500 vite dritë larg tokës dhe një imazh i tillë është përftuar duke kombinuar të dhëna nga disa lloje filtrash që kapin emisionet e hidrogjenit, oksigjenit dhe sulfurit.

Kjo foto përshkruan një galaksi që njihet si NGC300, dhe ndodhet në konstelacionin e Skulptor-it. Distanca nga toka është rreth 6 milionë vite dritë nga Toka. Ngjyra e kuqe në këtë spirale madhështore vjen për shkak të prezencës së hidrogjenit në formën e tij të gaztë… prej të cilit yje të reja do të lindin.

Kjo foto përshkruan grumbullin globular të njohur si Omega Centauri, plot 15.800 vite dritë larg Tokës. Kur lexoni për grumbuj globularë (globular clusters) duhet të keni parasysh se flitet për yje shumë të vjetër, disa prej të cilëve mund të jenë mbi 11 miliard vite të vjetër. Në këtë grumbull ka më shumë se 10 milionë yje, gravitetet e të cilëve bashkërendojnë mes tyre.

Kjo foto përshkruan një Nebula të famshme të gjetur në konstelacionin e Orionit. Njihet si “Koka e Kalit”. Ky është rasti klasik i asaj që në gjuhë shkencore njihet si fenomeni i “Pareidolia-s”. Ky term i vështirë për t’u shqiptuar në fakt shenjon diçka që të gjithë e kanë bërë, kur kanë parë retë në qiell dhe mes tyre kanë ‘identifikuar’ forma që i ngjajnë të tjera objekteve, njerëzve, kafshëve, etj.
Në terma të thjeshtë, pareidolia është të perceptosh një formë familjare në objekte që nuk kanë të bëjnë me të parën. Dhe në këtë sistem qiellor ndodh e njëjta, reja e zezë e nebulës në kombinim me dritën e gazit, krijon formën e një koke kali.

Kjo foto i përket Marsit dhe është kapur nga një teleskop në Tokë. Një herë në çdo dy vite, planeti i kuq i afrohet Tokës dhe mund të shihet dhe me sy të lirë. Fotoja është shkrepur nga pamja e një teleskopi në 2020.

Një foto e shkrepur nga fotografët në një natë me hënë të plotë, ku drita sjell një mundësi perfekte për të kapur një konstelacion të vogël… siç është ky këtu (qarkuar), i njohur si “Kryqi i Jugut” (Crux).

