71-vjeçar nga Durrësi që ndërroi jetë një ditë më parë në Sanatorium është një ish-ushtarak i lartë në Forcën Detare të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Çapajev Filen, i cili ishte me koronavirus dhe u nda nga kjo botë gjatë mbrëmjes së djeshme.

Çapajev File ka pasur një karrierë të gjatë në Forcën Detare dhe megjithëse vitet e fundit kishte dalë në pension vijonte të ishte mjaft aktiv në aktivitetet e ndryshme të zhvilluara nga Forca Detare. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, File u nderua me Medaljen e Mirënjohjes nga Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, me motivacionin “Dalluar për kontributin e dhënë si ushtarak me një karrierë të spikatur në shërbim të Forcës Detare”.

Në të gjitha postet e rëndësishme që ka mbajtur gjatë karrierës së gjatë 44-vjeçare në Forcat e Armatosura, File është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin në detyrë.

Postimi nga Tribuna e Ushtarakut

Ndahet nga jeta Kapiteni i Rangut të Parë (P) Dr. Çapajev File

Çapajev Thoma File lindi më 24 Prill 1949 në fshatin Luaras të rrethit të Kolonjës. Shkollën e mesme të arsimit të përgjithshëm e ka përfunduar në Ersekë. Ka përfunduar Shkollën e Larë të Oficerëve të FLD në vitin 1970 dhe filloi shërbimin si oficer detar në ishullin e Sazanit, Komandant Katri Silurues dhe Komandant Skuadrilje në Regjimentin e Anijeve. Me krijimin e BUD-it të Vlorës, Çapajev File emërohet Shef i Degës së Stërvijes dhe në vitiet 1977-1979 kryen Kursin e Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Mbrojtjes

Në vitin 1979-1988 emërohet pedagog i taktikës së FLD në Shkollën e Lartë të Oficerëve të FLD dhe në vitin 1989 emërohet Komandant i Grupit të Anijeve Luftarake në BUD-in e Durrësit. Në vitet 1991-1992 Kapiteni i Rangut të Parë Çapajev File kreu detyrë e Komandantit të Shërbimit Hidrografik, 1992-1993 detyrën e Kapitenit të Portit të Durrësit dhe midis viteve 1990-1991 dhe 1994-1995 ka kryer detyrën e Shefit të Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Detare. Nga viti 1998 deri në vitin 2014 Kapiteni i Rangut të Parë Çapajev File ka qënë pedagog i taktikës dhe çështjeve detare në Akademinë e Mbrojtjes dhe Shef i Degës së Doktrinave në Komandën e Dorktrinës dhe Stërvitjes. Në vitin 2003 Kapiteni i Rangut të Parë Çapajev File del në rezervë dhe në vitin 2014 del në pension.

Kapiteni i Rangut të Parë (L) Çapajev File shërbeu në Forcat e Armatosura 47 vjet, nga të cilat 35 vjetë nën uniformë. Doktor i Shkencave, autor i disa librave, pedagog dhe akademik, ekspert në çështje të strategjisë detare, artit të luftës në det, historisë ushtarake-detare dhe të të drejtës detare.
Ai mbahet mend si pedagogu i një brezi të tërë oficerësh detarë dhe të Forcave të Armatosura. Në 47 vite shërbimi në FA, 23 vite ka ushtruar misionin e pedagogut në Shkollën e Lartë të Oficerëve të FLD dhe Akademinë e Mbrojtjes. Mendimi teorik i Dr. Çapajev File janë pjesë e dokumentave kryesore doktrinore të Forcës Detare, Rojes Bregdetare dhe QNOD-së.
Mendimi akademik i Kapiteni i Rangut të Parë (P) Dr. Çapajev File ka influencuar zhvillimet e Forcës Detare në 30-vitet e fundit dhe përbën një trashëgimi me vlerë.

Per profesionalizmin, përkushtimin dhe atdhedashurinë në shërbim të Atdheut, Kapiteni i Rangut të Parë (P) Dr. Çapajev File është dekoruar me shumë urdhëra dhe medalje. Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, më 24 prill 2019, Ministri i Mbrojtjes Zonja Olta Xhaçka dekoroi Kapiteni i Rangut të Parë (P) Dr. Çapajev File me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin “Dalluar për kontributin e dhënë si një ushtarak me karrierë të spikatur, në shërbim në Forcën Detare”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re