Mbrëmë për publikun beratas u shfaq nata e parë e komedisë muzikore “Prapaskena e fatit” me autorin dhe aktorin Herion Mustafaraj, në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”. Emocionet e kësaj komedie dhe mjeshtëria e fjalës artistike ngritën peshën emocionet e spektatorëve të pranishëm në sallë. Kjo komedi përcolli tek publiku jo vetëm pjesë komike, por dhe mesazhe për shoqërinë.

Kjo është një shfaqje shumë e ngrohtë, me një fill tragjik brenda, por në thelb është komedi argëtuese muzikore, dhe trajton gjëra të cilat vetë shqiptarët i kanë kaluar qoftë në vitet 90, por edhe tani. Kjo komedi i flet brezit të ri dhe të vjetër.

Në qendër të veprës është xha Fati, personazh shqiptar i emigruar në Amerikë, i cili që në fëmijëri ka ëndërruar muzikën dhe të jetë artist, por shanset kanë qenë të pakta për tu bërë. Ai ka luftuar që ëndrrat e tij të jenë realitet, dhe ka kaluar shumë peripeci gjersa ai vendos të emigrojë në Amerikë. Muzika është e bazuar në pjesë të njohur dhe luhet live në skenë. Në interpretim e sipër aktori Mustafaraj, luan live në piano, në kitarë dhe trompë.

Mes dy botëve të ndryshme Shqipërisë dhe Amerikës, xha Fati gjen probleme të njëjta sociale e shoqërore. Xha Fati i inspiruar nga pasioni i tij i hershëm për t’u bërë artist, rinohet në skenë duke sfiduar jetën. Kjo komedi, përcjell për publikun mesazhin që nuk ka njeri dështak nëse provon. Shfaqja do vijoj dhe sonte për publikun beratas në Qendrën Kulturore “Margarita Tutulani”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re