Alket Dino është pedagogu i arrestuar nga policia pasi i merrte para nxënësve në këmbim të provimeve. Faxweb.al ka siguruar fotografinë e Dinos, i cili punonte si pedagog i Shkencave Sociale në Universitetin “Fan Noli” në qytetin e Korcës.

Së bashku me Dinon ka rënë në pranga edhe Xhevi Dervishi që funksiononte si sekser ndërmjet studentëve dhe pedagogut. Të dy siguronin sasi nga 300 euro deri në 50 mijë lekë të reja nga studentët duke i siguruar se do të kalonin provimet.

Informacioni i policisë: Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

A.D., 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë pedagog pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe atyre Humane) dhe Xh. D., 35 vjeç (sekser) të dy banues në Korçë.

Shtetasit e mësipërm, janë kapur në afërsi të këtij Fakulteti me një sasi prej 300 eurosh dhe 50.000 lekë, të cilat nga hetimet e kryera dyshohet se i kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga studentët, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm”.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re