Në këtë Shën Valentin, nuk kanë munguar edhe parrullat e një grupi feminist, që ka ndërtuar një platformë online, të njohur si “Shota“. Parrullat në rrugët e Tiranës, kanë për qëllim sensibilizim e shoqërisë, kundër dhunës sistematike ndaj grave.

“Trëndafilat dhe çokollatat e 14 Shkurtit nuk e zbusin dhe as nuk e ëmbëlsojnë dot dhunën sistematike, 364 ditëve të tjera të vitit.  

Nuk mjafton vetëm një ditë kalendarike për të sjellë në vëmendje dashurinë ndaj partnere/ëve. Dashuria meriton përkushtim të përditshëm. E tillë vëmendje u mungon grave, të cilat përballojnë në mënyrë shporporcionale barrën e marrëdhënies, nga rritja dhe edukimi i fëmijëve, deri te pesha e punëve të papaguara të shtëpisë, gatimit dhe përkujdesit për anëtarët e tjerë. Edhe sot pas “feste”, vallë kush i lan enët?!

Në një realitet të dhunshëm e konsumerist, dashuria për veten dhe sho-shoqen është një akt radikal i domosdoshëm!

SHOTA qëndron në solidaritet me të gjitha gratë, jo vetëm në 14 shkurt“, thuhet në njoftimin që shoqëron fotografitë e këtyre parrullave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re