Vendi ynë mirëpreti sot në Tiranë një sërë liderësh të rëndësishëm evropianë në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Pritja u zhvillua në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ku përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar mirëpritën personalitete të larta ndërkombëtare.
Ministri Blendi Gonxhja, konfirmoi ardhjen e një sërë figurash të njohura si Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Hollandës, Dick Schoof, Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola si dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Në të njëjtën ditë mbërriti edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në vizitën e tij të parë në Shqipëri në këtë detyrë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, e cilësoi ardhjen e tij si “një dëshmi e qartë e rolit të shtuar të Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut”.
“Vizita e tij është shenjë e angazhimit tonë për paqe, siguri dhe bashkëpunim euroatlantik,” tha Vengu.
Më herët kanë mbërritur, Presidentja e KE, Ursula von der Leyen, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, Presidenti i Malit të zi Jakov Milatović, përfaqësuesja e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri e BE-së, Kaja Kallas, Presidenti i KiE Antonio Costa, Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, Kryeministri polak Donald Tusk, Kryetarja e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës Željka Cvijanović dhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski.