Partia Demokratike dorëzon zyrtarisht në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni të Posacëm për Reformën Zgjedhore.

 

PD vlerëson se ky Komision ka për detyrë hartimin e ndryshimeve Kushtetuese dhe kuadrit të ri ligjor zgjedhore për trajtimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit dhe ato të mëparshme të patrajtuara, si dhe rekomandimet që kanë ardhur nga forcat politike dhe organizatat joqeveritare.

 

Selia blu në kërkesën e dorëzuar për ngritjen e grupit të punës, shton se anëtarësia e Komisionit duhet të formohet nga të gjitha forcat parlamentare me numër të barabarte mes opozitës dhe shumicës parlamentare.

 

Komisioni, përcakton PD, në kërkesën e dorëzuar në Kuvend do të jetë funksional për 6 muaj që nga ngritja e tij.

 

Partia Demokratike ka kontestuar publikisht procesin zgjedhor të zhvilluar më 25 Prill 2021, duke e cilësuar si masakrën më të rëndë zgjedhore në historinë e zgjedhjeve pluraliste në Shqipëri. Pjesë e këtij kontestimi, përvec deklaratave publike, kanë qenë edhe ankimet në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, paditë në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor dhe kallëzimet penal në Prokurorinë e Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.Partia Demokratike ka konstatuar pesë tipologji shkeljesh të rënda që minuan procesin demokratik të zgjedhjeve parlamentare të 25 Prillit: (i) Shitblerja masive e votës, e realizuar nga bashkëpunimi i kandidatëve të mazhorancës me elementë të krimit të organizuar; (ii) Shkrirja e shtetit dhe Partisë në pushtet në një të vetëm; (iii) Vjedhja dhe përdorimi i paligjshëm i të dhënave personale dhe sensitive; (iv) Ndalimi antikushtetues i të drejtës së emigrantë për të marrë pjesë në zgjedhjeve, vecanërisht atyre që jetojnë në Republikën e Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut; dhe (v) Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor, që sollën heqjen e koalicioneve dhe një format flete votimi, që prodhoi 83 mijë fletë votimi të pavlefshme.

 

PD shton se ngritja e Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit 2021, që u realizua me iniciativen e kësaj force politike ka për detyrë pikërisht korrigjimin dhe ndryshimin e akteve ligjore për të pasur zgjedhje më të mira.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re