19 nëntor – Përmirësimi i peizazhit historik urban të qytetit të Beratit, kryesisht të zonës së mbrojtur ishte në qendër të një seminari të organizuar ditët e fundit në këtë qytet.

I organizuar nga bashkia e Beratit në kuadër të përmbushjes së vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO – së për Beratin dhe Gjirokastrën, në seminarin ndërinstitucional në nivel ekspertësh morën pjesë ekspertët francezë, Isabelle Longuet dhe Antoine Luginbuhl, të mbështetur nga Organizata e Qyteteve dhe Siteve Kreative, si dhe specialistë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, DRKK Berat, DRKK Elbasan, Ministria e Kulturës, përfaqësues nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë si dhe specialistë të Bashkive të tjera në Shqipëri.

Gjatë seminarit u vlerësuan praktikat më të mira në fushën e administrimit të peizazhit urban, si dhe u diskutua në lidhje me ndërhyrjet më optimale afatshkurtra dhe afatgjata në Berat.

Bashkëpunimi dhe asistenca do të vijojë më tej për studimin më të hollësishëm të tipareve urbane dhe natyrore të qytetit të Beratit dhe formulimit të ndërhyrjeve përkatëse për përmirësimin e peizazhit të qytetit në bashkëpunim edhe me projektin për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turistik të Bankës Botërore për Beratin.

Qyteti i Beratit është një nga më të vjetrit në Shqipëri, me gjurmët e para të cilat datojnë që 2600-1800 para Krishtit. Ka edhe qeramika që nga shekulli i 7 apo 6. Banorët e Beratit janë quajtur në fillim ilirë, më pas arbër dhe në fund shqiptarë.

Zona e Kalasë ka fortifikime guri që nga gjysma e parë e shekullit të 4. Në kohët e lashta ai ishte i njohur si Antipatreja Berat, një qytet i fortifikuar që ka arritur t’u rezistojë legjioneve romake të së kaluarës.

/a.a/j.p/





Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re