Forca policie kanë rrethuar në orët e vona të natës së të shtunës perimetrin e godinës së Teatrit Kombëtar. Prania e tyre ka alarmuar Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit që sipas tyre shihet si një skenar për të prishur godinën e teatrit.

Menjëherë liderët e opozitës janë vënë në lëvizje, duke organizuar strukturat për të shkuar në zonën pranë Teatrit. Kryedmeokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, shkuan atje për të qëndruar pranë artistëve që janë kundër shembjes së godinës.

“Nëse do të vijnë fadromat, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha do të jenë përballë fadromave. Le të vijnë e të hipin mbi trupat tanë. Ua kam thënë dhe ua them gjithmonë, nuk ka nevojë as për 10 mijë veta, as për 2 mijë, as për 1 mijë, as për 100 veta. Vetëm ne këtu, kaq. Po të duan le të kalojnë. Prandaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve, turni i natës vazhdon përsëri. Shoqëria civile, përfaqësues të partive politike, të lëvizjeve politike, janë këtu, do të qëndrojnë këtu gjithë natën siç qëndruam ne dje, PD një ditë më përpara e kështu me radhë. Ne do të jemi këtu dhe sigurisht pastaj që beteja jonë këtu nuk është betejë politike, është betejë për trashëgiminë, është betejë për kulturën, është betejë për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse në fund të fundit kjo godinë sado e vjetër të jetë, është si puna e verës sa më e vjetër të jetë aq më e mirë është.”, tha Kryemadhi gjatë një deklarate për median.

Në ora 12 të natës mbërriti edhe kryedemokrati Lulzim Basha për t’u solidarizuar me aktorët kundër prishjes së godinës.

“Sot këtu planifikohet të shkelet rëndë kushtetuta e ligji. Sa kohë që kemi një kryeqeveritar i cili të gjithë pushtetin e ka të bazuar tek vjedhja, grabitja e mashtrimi i qytetarëve këto do të vazhdojë. Sot është teatri, para ca kohësh ishin shtëpitë tek Astiri. Nesër do të jetë shtëpia juaj, do të jetë televizioni juaj, ndërmarrja e një qytetari. Ky është një i çmendur që është gati të bëjë gjithçka për pushtetin e tij.  Ky është e keqja e Shqipërisë”, deklaroi Basha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re