Në prag të çeljes së sezonit turistik 2019, DRKK-Berat veç mirëmbajtjes dhe pastrimit të vegjetacionit është duke u marrë edhe me zëvendësimin e tabelave informuese pranë monumenteve të kulturës. Tabelat me përshkrimin rreth monumenteve u vijnë në ndihmë turistëve në njohjen historike dhe arkitekturore të tyre, por shpesh bëhen pjesë e sulmeve vandale.

Gjatë ditës së sotme punonjësit e mirëmbajtjes Berat vijuan punën sistematike në pastrimin nga vegjetacioni në rrugicat e lagjes Kala e cila gjatë muajve të pranverës bëhet akoma më problematike. Ata kanë ndjekur itinerarin e pastrimit nga rrugica pranë banesës Haxhistasa dhe përgjatë deri në rrugën që të çon në pikën panoramike të qytetit.

Gjithashtu punonjësit e mirëmbajtjes së DRKK Berat kanë bërë dhe pastrimin e vegjetacionit dhe mbetjeve urbane përgjatë itinerarit turistik në lagjen Kala. Mirëmbajtja e monumenteve dhe hapësirave rreth tyre mbetet një nga sfidat e përditshme të punonjësve  që kërkon mbështetjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në mbajtjen pastër të mjediseve për një imazh më dinjitoz ndaj mijërave turistë që mbushin kalanë çdo ditë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re