Skip to content

Programi i shkëmbimit, 16 nxënës nga Prizreni njihen me traditën, kulturën dhe mikpritjen beratase

 

18 prill – Në kuadër të programeve të shkëmbimit të nxënësve midis dy vendeve Shqipërisë dhe Kosovës, 16 nxënës të ardhur nga Prizreni janë duke qëndruar në Berat duke u bërë pjesë e aktiviteteve të ndryshme në njohje të traditës, kulturës dhe mikpritjes beratase.

Ndër aktivitetet e shumta një prej tyre ishte dhe vizita në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë DRKK Berat. Vizita në njohjen e veprave të artit dhe procesit të restaurimit zgjoi interes dhe la mbresa të veçanta tek ta.

Ky program u jep mundësi 60 nxënësve nga gjimnazet e Shqipërisë (klasat 10 dhe 11) dhe 60 nxënësve nga gjimnazet e Kosovës për të studiuar për një periudhë 2-javore në një mjedis të ndryshëm nga i tyri, në mënyrë që të njihen më nga afër me historinë dhe kulturën e vendit mikpritës, si dhe të pasurojnë zhvillimin e tyre personal duke njohur miq të rinj dhe duke prekur realitete të reja brenda sistemeve arsimore përkatëse.