Bashkia e Beratit ka hapur procedurat ditën e premte për rikonstruksionin e Muzeut Historik të Sinjës. Në këtë objekt, gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak së fundit të muajit Tetor, u vendos caktimi i fondeve për ngritjen e muzeut historik dhe atij të luftës në Sinjë, në mënyrë që të evitohet copëzimi i Galerisë së Arteve të qytetit.

Siç duket edhe në fotot e projektit me çatinë e re tradicionale me tjegulla, godina në versionin përfundimtar do të jetë në linjë me pjesën tjetër të arkitekturës së Beratit.

Qytetit, i cili përfaqëson Shqipërinë në shumë katalogë me destinacione ndërkombëtare, do t’i shtohet kështu një tjetër atraksion për turistët vendas dhe të huaj.
Rikonstruksioni do të kapë një vlerë maksimale prej 8.4 milionë lekësh, ndërsa punimet priten të nisin në fillimi të vitit të ardhshëm, pas përzgjedhjes së operatorit ekonomik fitues. Kalendari i punimeve parashikon se ato duhet të përfundojnë brenda 4-5 muajsh, çka nënkupton se muzeu mund të jetë gati për sezonin e ri turistik.
Në fshatin Sinjë ndodhet edhe kisha heremite e Shën Mërisë, e mbështetur në faqet e një prej dy shpellave të fshatit. Kisha shpellë është shpallur monument kulture i kategorisë së parë.
Vetë komuna konsiderohet si një nga zonat më të mëdha prodhuese me frutikulturë, ku vendin kryesor e zë qershia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re