26 tetor – Xhamisë Mbret në Berat po i konsolidohen muret e jashtme me teknikën e injektimit dhe heqjen e suvasë në portikun e xhamisë dhe konsolidimin e muraturës së gurit. 

Këto punime janë realizuar nën mbikqyrjen e vazhdueshme të supervizorëve turq, specialistëve të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe nën konsulencën e vazhdueshme të Prof. Dr. Aleksandër Meksi si dhe ekspertë të tjerë të fushës së restaurimit nga Shqipëria dhe Turqia.

Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është nxjerrja në pah e teknikës së rregullt të ndërtimit me gurë të skuadruar, teknikë e cila është ndërthurur me detaje qeramike, prezente në harqet e harkadës dhe në pjesën e sipërme të portikut.

Xhamia Mbret është një nga objektet e kultit islam më të rëndësishëm në qytetin e Beratit dhe monument kulture i kategorisë I. Ndërtimi i saj daton në shekullin e XV-të, dhe vazhdon me disa faza deri në shekullin XIX. Xhamia Mbret së bashku me Teqenë Helvetive dhe Konakët e Teqesë përbënin qendrën e qytetit të Beratit në periudhën mesjetare./a.a/j.p/






 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re