24 çështje dhe vetëm dy orë në dispozicion, deputetë “të armatosur” me doreza, maska e dezinfektantë dhe të shpërndarë në çdo cep të parlamentit dhe personel i reduktuar i gardës. Kjo është pamja e seancës së sotme plenare e Kuvendit i cili u mblodh pas më shumë se muaji për shkak të COVID-19.

Në seancë po diskutohen ndryshimet në Kodin Penal, aktet normative të Ministrisë së Shëndetësisë për masat ndaj COVID-19, rishikimi i buxhetit të 2020, lirimi i një kategorie të dënuarish, për shtyrjen e pagesës së këstit të tatimit mbi të ardhurat për bizneset, dy dekretet e presidentit Meta për kthim në Kuvend të ligjit për pronat dhe paketën Anti-Shpifje për pjesën që i takon OFL për sekuestrimin e pasurive.

Po ashtu pritet të votohet edhe shtyrja të veprimtarisë së komisionit për Reformën Zgjedhore që duhet të kishte përfunduar më 15 mars. Asnjë deputet nuk do të dalë në podium. Ligjvënësit do të qëndrojnë sa më larg njëri-tjetrit, disa në lozha dhe në vendin ku rrinë mediat. Në sallë do lejohen vetëm 3 kameramanë të TVSH, ndërsa seanca nuk do të zgjasë më shumë se dy orë.

Në sallën e Kuvendit është ruajtur distanca me deputetëve duke qëndruar 1.5 metra ose me shumë larg njëri-tjetrit. Vendosja është bërë një po një jo në karriget e parlamentit për të ruajtur distancën. Në sallë janë 80 deputetë, ministra dhe kryeministri, të cilët do të ulen në vendet e përcaktuara nga kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi. 10 ministra do ulen në lozhat lart, ndërsa 6 poshtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re