9 maj- Skulptori Vangjel Papa u shpall sot “Qytetar Nderi” i qytetit të Berartit, për kontributin e tij të shquar në fushën e artit, veçanërisht në skulpturë dhe si skicograf – restaurator.

Në sallën e konferencave të bashkisë së Beratit u organizua sot ceremonia zyrtare për dhënien e titullit Vangjel Papës, ku merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, të forcave politike, të komuniteteve fetare, studiues të artit, artistë, intelektualë, qytetarë etj.

Këshilli Bashkiak vendosi t’i akordojë Vangjel Papës titullin për kontributin për punimet e tij cilësore në artin e skulpturës, të vendosura në qytetin e Beratit, për përfaqësimin dinjitoz në konkurset kombëtare dhe ndërkombëtare, duke qenë disa herë fitues i çmimeve të para.

Në përshkrimin e biografisë së tij, drejtuesi i kësaj ceremonie, Kadri Kuka, u ndal kryesisht në edukimin dhe formimin e tij, në kontributin e tij si skulptor, pedagog, restaurator, duke prezantuar përpara të ftuarve të kësaj ceremonie vlerat e larta intelektuale të një artisti dhe të një qytetari model për të gjithë.

Titulli i lartë iu dorëzua Papës nga kryetari i bashkisë, Petrit Sinaj, i cili në në fjalën e tij përshëndetëse vlerësoi kontributin e artistit Vangjel Papa në artet figurative, duke theksuar se njerëz të tillë mbeten në memorien e familjes, shoqërisë dhe qytetit përmes veprave që ata lënë pas.

Ndërsa Vangjel Papa, përmes emocioneve, shprehu mirënjohjen e tij për vlerësimin që i bëhej nga bashkia e Beratit, duke thënë se është nder të jesh qytetar i Beratit, por është një privilegj i madh të jesh “Qytetar nderi” i këtij qyteti.

Shprehën konsideratat e tyre për artistin Anna Cinquini, Çlirim Mukli, Llambrini Dëna dhe Petrika Stasa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re