16 maj- Artistët e rinj të shkollës së mesme artistike “Ajet Xhindole” çelën sot ekspozitën “Vision” në ambientet e Galerisë së Arteve “Edward Lear”.

Në ceremoninë e çeljes përgjegjësi i galerisë, Adrian Kumati, vlerësoi punën e mësuesit Ermal Mbarakulli për kujdesin e veçantë që tregon ndaj të rinjve, si dhe vetë të rinjtë për punën dhe pasionin që ata kanë për artin figurativ.

Ndërsa mësues Mbrakulli nga ana e tij falënderoi prindërit e të rinjve për mbështetjen që iu japin dhe punën plot pasion që ata realizojnë në ambientet e shkollës.

Drejtori i shkollës artistike, Arben Qafa, tha se “bashkia e Beratit dhe Qendra Kulturore “Margarita Tutulani” po u krijojnë të rinjve mundësitë për të realizuar ëndrrat e tyre”.

Të rinjtë pjesëmarrës në këtë ekspozitë, Reigers Çanta , Albion Çalamani, Matea Ruzi, Oltjan Tarellari dhe Joela Ziraj, shprehën kënaqësinë që krijimet e tyre, ku bien në sy peizazhet dhe portretet, u vlerësuan nga artdashësit beratas.

Ekspozita pati vizitorë të shumtë, të cilët shprehën përshtypjet e tyre rreth krijimeve. Ajo do të qëndrojë e hapur deri në datën 27 maj 2019.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re