Autori i dyshuar i vrasjes së biznesmenit nga Lezha Ardian Nikulaj do të mbërrijë këtë të dielë në aeroportin e Rinasit pasi është ekstraduar nga Maroku.

Siç shihet edhe në foton e siguruar nga gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, Ruben Saraiva është nën masa të rrepta sigurie, në pritje të ekstradimit drejt Shqipërisë.

Përfaqësues të Policisë dhe Interpolit kanë qënë prej disa ditësh në Marok ku kanë përmbyllur të gjitha procedurat ligjore për të bërë të mundur ekstradimin e Saraivës në vendin tonë.

Vendimi për ekstradimin e vrasësit me pagesë u dha nga Gjykata e Marokut disa ditë më përpara. Mes Shqipërisë dhe Marokut nuk ka një marrëveshje ekstradimi, por për këtë gjë u desh ndërhyrja e Interpolit dhe vetë ministrit të Brendshëm Taulant Balla i cili ka komunikuar me homologët në Marok.

Madje para pak ditësh në Shqipëri ka mbërritur edhe celulari i portugezit ku pritet që të ndihmojë hetuesit për të zbardhur rolet dhe të gjejë prova për vrasjen e 51-vjeçarit Nikulaj.

Të arrestuar në Britani të Madhe janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, i cili dyshohet se është porositësi i vrasjes si dhe 4 shtetas britanikë. Për këta persona ende nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri nga gjykata e Britanisë së Madhe edhe pse pala shqiptare u ka dërguar prej kohësh kërkesën përkatëse.

Viktima Ardian Nikulaj ishte i ulur në lokalin e tij në Shëngjin në momentin kur Saraiva i është afruar dhe e ka qëlluar për vdekje me disa plumba. Grupi hetimor ka prova, përveç kamerave të sigurisë që pikërisht portugezi është ekzekutori, ndërsa 4 britanikët kanë vëzhduar për disa ditë lëvizjet e shënjestrës.

Kjo ngjarje u pasua me disa vrasje të tjera mes dy familjeve prej vitesh në hasmëri, të fisit Nikulaj dhe Lekstakaj.

Në dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, kushuriri i Ardianit. Ndërkohë në muajin korrik në Balldre të Lezhës u vra Nikolin Lekstakaj.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re