Katër ditë pas atentatit ndaj Gjovalin Prendit, babit të të ndjerit Roan Brahimi alias Sidorel Prendi ende nuk ka asnjë autor.
Gazetari Igli Çelmeta ka siguruar foton e makinës së atentatorëve, një mjet tip Rover ngjyrë e zezë.
Momenti është kapur pas atentatit nga kamerat e sigurisë, teksa shihet që makina është në lëvizje. Brenda mjetit shihen edhe disa persona, por ata nuk shquhen mire.
Makina është pa xhama të zinj, ndërsa grupi hetimor ka dyshime se targat dhe mjeti janë të vjedhura.
Autorët kanë ardhur nga ura e Milotit dhe kanë kaluar lokalin e 64 vjecarit. Më pas 2 persona kanë zbritur dhe janë afruar nga pjesa anësore e lokalit. Vetëm njëri prej tyre ka qëlluar.
64-vjeçari Gjovalin Prendi u qëllua me breshëri plumbash nga atentatorët ne hyrje te lokalit te tij (21 prill), duke humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
SAGA E PËRGJAKSHME
Ishte nata e 19 shkurtit të vitit 2014 kur një makinë, brenda së cilës udhëtonin tre të rinj ra në një pritë të habitshme. Vendi i ngjarjes ishte Ura e Vjetër e Milotit. Të rinjtë kishin kaluar urën dhe sapo merrnin rrugën për në Pllanë, dy persona, njëri me kallashnikov dhe tjetri me pistoletë dalin nga poshtë urës dhe i sulmojnë. Për pasojë dy prej tyre humbin jetën, ndërsa shpëton djali që ishte në sediljen e pasme.
Dy prej djemve që u gjenden në makinë, ku njëri humbi jetën dhe tjetri përfundoi në spital me plagë të rënda ishin nipat e Gjovalin Prendit, 64-vjeçarit që u ekzekutuar mbrëmjen e së enjtes po në Pllanë. Aso kohe, policia, si gjithnjë doli me versionin se ekzistonte mundësia që shënjestra të jetë ngatërruar, pasi djali që drejtonte makinën dhe që u vra, ia kishte blerë makinën 2 muaj më parë një eksponenti të botës së krimit, ndaj edhe ishin sulmuar.
Më pas u tha edhe për një sherr që kishte ndodhur në një karburant në Rubik, por jo vetëm që nuk u arrestua asnjë person, por madje as nuk u fol më për atë atentat me dy të vrarë e një të plagosur. Vite më vonë, në skenë del djali i Gjovalinit, Sidoreli, i cili ndërroi emrin në Roan Brahimi dhe policia, ndonëse jo zyrtarisht e lidh emrin e tij me një sërë ngjarjesh të rënda, madje edhe me masakra që kanë tronditur vendin. Në vitin 2020, i njëjti lokal ku u vra të enjten Gjovalin Prendi u sulmua me armë, por lokali ishte i mbyllur dhe nuk pati dëme në njerëz.
Sërish policia dhe prokuroria nuk ndaluan asnjë person, madje dosja u arkivua. Emri i Sidorel Prendit u përgojua si pjesëtar i disa grupeve kriminale, ku së fundmi ai u kërkua të pyetej edhe për masakrën e urës së FushëKrujës, ashtu siç u dyshua për një sërë aktesh të tjera, madje shumë të rënda.
Por Sidoreli nuk u prangos asnjëherë. Ai u largua nga Shqipëria dy vitet e fundit dhe vjet në vigjilje të Pashkëve shkoi në Greqi të kalonte festën me gruan dhe djalin e vogël, por vrasësit e priten dhe e ekzekutuan në makinë. Sërish policia dhe prokuroria jonë nuk ndërmorën asnjë hetim, pasi vendi i ngjarjes ishte në Greqi!/Gazeta Panorama