Kryeministri Edi Rama po ballafaqohet me Perëndimin – edhe pse po ndihmon për të mbajtur larg refugjatët. Kundërshtarët e tij thonë: ai e ka kthyer Shqipërinë në një autokraci të dominuar nga paratë e drogës.

Kështu shkruan Walter Mayer në një artikull të publikuar në “Der Spiegel”.

Në artikull thuhet se Rama shihet nga këndvështrimi perëndimor si një stabilizues në Ballkan.

Der Spiegel shkruan se sidomos modeli i tij i negociuar me Meloni-n ka ngjallur interes edhe përtej Italisë: plani për të strehuar në territorin shqiptar refugjatët dhe migrantët e kapur në ujërat mesdhetare italiane për të përcaktuar nëse janë të denjë për azil.

“Ursula von der Leyen e quan atë ‘i dashur Edi’, që është tashmë një sinjal”, thotë Frauke Seebass nga Fondacioni për Shkencë dhe Politik (zyra e Brukselit).

“Duhet ta shohësh fenomenin Rama në një kontekst më të gjerë – nga këndvështrimi i BE-së, bëhet fjalë për një qasje pragmatike për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor; Rama konsiderohet, ndryshe nga Aleksandar Vuçiç në Serbi, si jo anti-europian, më i butë; për këtë arsye, është vendosur që t’i mbyllet një sy, nëse jo dy”, vijon ai.

Në artikullin e Der Spiegel, përfshihet edhe vizita e Sekretarit amerikanë të Shtetit, Antony Blinken dhe fjalët lavdëruese për Edi Ramën,

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, e nderoi me vizitën e tij në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në shkurt dhe shprehu fjalë lavdëruese për “Edin” – veçanërisht për reformën e tij të drejtësisë. “Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës”, tha Blinken, duke shtuar “anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbasin pasuritë e tyre. Ky është një ndryshim i madh.”

Por, Der Spiegel pasqyron edhe çka thotë raporti i DASH në vitin 2023. Aty shkruhet se “në vitin 2023, në vendin anëtar të NATO-s, Shqipëri, kishte “korrupsion në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet e qeverisë”.

Kjo do të thotë: edhe në majë. Kundërshtarët politikë të Ramës pohojnë se ai ka kthyer vendin në një autokraci të dominuar nga paratë e drogës. Më saktësisht: ai ka toleruar fuqizimin e krimit të organizuar.

Kryeministri i mohon këto akuza.

Kur u ballafaqua me akuza të ngjashme nga SPIEGEL, kryeministri telefonoi vonë në mbrëmje dhe u përpoq të ndikonte në raportim: Ai i ndiente akuzat si të pamerituara, fyese dhe të dëmshme për reputacionin e vendit të tij.

Si mund të ndodhë, u pyet Rama nga një gazetar italian në qershor, që nga rrethi i tij më i ngushtë, njëri pas tjetrit po arrestohen për korrupsion, përfshirë ministra të ndryshëm, ndërsa ai vetë ende qëndron në detyrë?

Përgjigja e ftohtë e kryeministrit shqiptar: “Në çdo pyll ka derra.”

Sa më popullor të bëhet Rama jashtë vendit, aq më shumë rritet zemërimi në rrethin e tij të ngushtë. Ata që dinë shumë dhe kanë shumë për të humbur, flasin vetëm nën kushtin e anonimatit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re