Dhjetëra qytetarët janë mbledhur pasditen e sotme në shenjë proteste para Ministrisë së Shëndetësisë, pas skandalit në repartin Onkologjik pranë QSUT-së, ku u zbulua nga hetimet e prokurorisë se pacientëve të diagnostikuar me tumor nuk u jepej trajtimi i duhur mjekësor dhe më pas drejtoheshin në klinika private.

“Ç’u bë me Betimin e Hipokratit”, ishte një prej pankartave që mbanin në duar qytetarët para ministrisë, ndërsa kanë bërë thirrje që hetimet për këtë rast të vazhdojnë.

“Ministrua e vdekjes”, “QSUT = Ali Baba dhe 40 hajdutë”, “Onkologjiku ofron paketa turistike”, “Jam këtu për ata që paguan Maldivert tuaja me ditët e tyre të fundit! O të neveritshëm”, ishin disa nga pankartat e qyetarëve në protestë.

Kujtojmë se nga hetimet gjithashtu janë konstatuar raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi, nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur, duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Në skemën abuzive, sipas prokurorisë Tiranë, janë përfshirë funksionarë dhe mjekë, ndërsa të martën u lëshuan disa masa sigurimi personal me “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitjeje” për ta.

LEXONI EDHE: Skandali te Onkologjiku/ Qytetarët protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, gazetari Osman Stafa: Nuk rimbursohen ilaçet e personave me kancer! Duhet reagim

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re