Kanë dalë pamjet e momentit kur dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, prangoset në Rinas, teksa priste bashkëshorten.

Sipas pamjeve të siguruara nga gazetari Igli Çelmeta, Malltezi shihet teksa shoqërohet nga katër efektivë.

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha është arrestuar mbrëmjen e sotme (21 tetor) në Aeroportin e Rinasit, ku po priste bashkëshorten teksa po kthehej nga një udhëtim nga një vend i BE.

Ndaj Malltezit është caktuar edhe masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa mbi të rëndojnë akuzat për pastrim parash, korrupsion pasiv si edhe fshehje pasurie lidhur me kompleksin Partizani.

Me urdhër të SPAK janë vënë nën sekuestro edhe disa pasuri të Malltezit. Mësohet se urdhri për ndalimin e tij është firmosur nga prokurori i posaçëm, Arben Kraja.

Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, ndërtues i pallateve tek ish-kompleksi Partizani.

GJKKO ka caktuar masë sigurie edhe për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndaj Berishës është caktuar detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë shtetit.

Hetimet për kompleksin Partizani

Hetimet për privatizimin e kompleksit “Partizani”, nisën pas një kallëzimi penal të bërë më 17 nëntor 2020, nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, në atë kohë kreu i grupit parlamentar të PS.

Balla, asokohe kallëzoi për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministri Arben Imami.

Ata akuzohen në lidhje me privatizimin e rreth 10.000 m2 të ish-kompleksit sportiv “Partizani”, në qendër të Tiranës, truall i cili para vitit 2012 ishte në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re