Mbrëmjen e të premtes është bërë prova e parë e ndriçimit të stadiumit të ri kombëtar që po ndërtohet në vend të ish-stadiumit “Qemal Stafa”.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF, Arben Dervishaj, ka publikuar foto nga impianti i ri i futbollit ku shihet sistemi i ndriçimit. Impianti i ndriçimit është vendosur përreth strehës së tribunave dhe në brendësi të tyre.

Ai duhet të plotësojë standardet e liçensimit të UEFA-s, me qëllim për të garantuar ndriçim të bollshëm për të transmetuar ndeshjet në cilësi maksimale, por edhe për të ofruar pamje sa më të mirë të tifozëve.

Ndërkohë, fusha e blertë ka përfunduar së shtruari, ndërsa për një muaj ajo pritet të jetë gati për të zhvilluar një ndeshje testuese futbolli.

Megjithatë, inaugurimi zyrtar i stadiumit do të bëhet në muajin nëntor, ndërsa ndeshja e fundit eliminatore ajo mes Shqipërisë dhe Francës, është parashikuar të jetë ndeshja e parë zyrtare që do të luhet në stadium.

Impianti i ri i futbollit në vend ka rreth 21750 ndenjëse, pa përfshirë vendet për gazetarët, ndërkohë që pritet të jetë një nga stadiumet më të mirë në Ballkan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re