Pronari i një biznesi në Tiranë, ka hapur një gropë në lulishten e përbashkët të një pallati duke futur nën dhe një depozitë gazi 1 mijë litra.

Rasti është denoncuar nga banorët e pallatit pranë Maternitetit të ri në kryeqytet, në platformën online të bashkëqeverisjes, shqiperiaqeduam.al.

Në takimin e përjavshëm në kryeministri, në prezencë të kreut të qeverisë Edi Rama, rastin e prezantoi një nga banorët që mori hapin ta denoncojnë rastin në platformë, duke marrë zgjidhje brenda ditës, ku me ndërhyrjen e institucioneve, depozita u hoq nga lulishtja ku ishte groposur. Por Shqiptarja.com mëson se depozita është hequr para 4 ditësh.

“Do më falni për emocionet se të jesh pranë këtij burri ka edhe emocione Jemi gati 400 banorë në pallatit dhe një biznes poshtë pallatit, në ambientin e përbashkët lulishte hapi natën një gropë me ekskavator dhe futi një depozitë gati njëmijë litra. Me banorët kontaktuam personin që kishte vënë depozitën, por nuk na u përgjigj fare. Komunikova me platformën për bashkëqeverisjen. Automatikisht më ka marrë në telefon koordinatori i Ministrisë së Brendshme dhe në mënyrë urgjente kanë ardhur punonjësit e policisë së Komisariatit nr.4. Kanë ardhur edhe përfaqësues nga Ministria e Energjetikës, Inspektorati i Pajisjeve me Presion, nga zjarrfikësit dhe Policia Bashkiake. Është hequr depozita në mënyrë rekord, brenda një ditë e gjysmë. Në emër të banorëve falenderoj Kryeministrin, se të gjithë banorët ishim skeptikë. Shumë banorët më thonin mos e ndërmerr këtë punë se nuk ia del dot dhe unë jam i surprizuar nga kjo ngjarje dhe banorët janë surprizuar. Tani jemi të qetë“, tha banori i pallatit Sadedin Bilaj gjatë takimit me kryeministrin Rama.

Për rastin në fjalë, kreu i qeverisë deklaroi gjatë fjalës së tij se janë përgjithësisht mosbesues ata që ndërmarrin këtë hap, por e mira këtij hapi është se nuk ka asnjë kosto, nuk kërkon asnjë mundim, thjesht një hyrje në faqen e platformës online, 2-3 minuta për të plotësuar gjithë ankesën, në rastin kur ankesa ka ardhur me dokumentacion bashkëngjitur dhe koha e shkurtër tregon nëse kjo është funksionale apo jo dhe në fakt është funksionale, siç edhe ju e dëshmoni.

Gjatë takimit u trajtuan edhe raste të zgjidhura të përllogaritjes së pensioneve, ku kreu i qeverisë deklaroi se të gjithë pensionistët do t’i marrin lekët që iu janë mohuar./shqiptarja.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re