Me ardhjen e vitit të ri selia e Partisë Demokratike ka vendosur që të nisë 2022 me një “faqe të re”. Kryedemokrati Lulzim Basha ka vendosi që të bëjë disa ndryshime të vogla në fasadë. Dera e hyrjes kryesore dhe xhamat e selisë janë veshur me letër ngjitëse me logon dhe simbolet e PD, të gjitha në ngjyrë “royal blue”.

Gjithashtu, burime për “Panorama” raportojnë se në ambientet e brendshme të selisë blu, në korridorin e godinës në katin e parë janë hequr disa foto të mëdha që ndodheshin në muret anësore në të djathtë dhe në të majtë të korridorit. Bëhet fjalë për postera që paraqesin momente të suksesshme të qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha, të tilla si futja në NATO, apo inaugurime të veprave të rëndësishme.

Tanimë në ambientet e brendshme të selisë blu kanë zënë vend sloganet “Zgjedhim të Ardhmen”.Bëhet fjalë për slogane të formatit që u përdorën në Kuvendin e 18 dhjetorit, të thirrur nga kryedemokrati Basha. Ndërkohë që mësohet se të gjitha ambientet e brendshme të selisë po lyhen me bojë.

Gjitahshtu raportohet se në ambientet e brendshme të selisë nuk janë instaluar dyer të blinduara apo hekura për të pamundësuar hyrjen.

Ndryshimet në pamjen e selisë blu erdhën pak ditë para përfundimit të afatit të vendosur nga ish-kryeministri Sali Berisha për lirimin e zyrës nga ana e Bashës. Sipas Berishës, numri një i PD nuk e mban më atë post që prej 11 dhjetorit, ndaj dhe ka paralajmëruar se do të largohet më 5 janar.

Por kryedemokrati e ka injoruar ultimatumin, ndërsa është shprehur se është gati për të gjithë “skenarët”, duke mos i përjashtuar mundësitë për përplasje mes dy palëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re