Jorgo Goro u betua sot si kryetar i bashkisë së Himarës, për një mandat të dytë.

Në ceremoninë e betimit dhe konstituimit të këshillit bashkiak ishin të pranishëm deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, kryetari i qarkut Vlorë, Ervis Mocka, etj.

Në fjalën e tij Goro falënderoi Kryeministrin Edi Rama dhe qytetarët e Himarës për besimin që i dhanë për një mandat të dytë në krye të bashkisë.

“Vazhdojmë punën e pandërprerë, projektet e larmishme kudo në bashkinë Himarë. Suksese Këshilltarëve të rinj të bashkisë dhe natyrisht shumë duartrokitje për ata që këto vite ndanë mendime dhe opinione të çmuara për Himarën tonë. Dhe që nuk do të jenë pjesë e rrugëtimit tonë 4 vjeçar, për arsye dhe një absurditet të paparë dhe të padëgjuar kurrë më parë, veçanërisht në Himarë duke vetëpërjashtuar nga kauza jone “Himara mbi të gjitha”. Vazhdojmë ecim përpara me besim dhe natyrisht me shumë dedikim për njerëzit që na besuan. Himara e para, pastaj të tjerat vijnë vetë rrugës”, u shpreh Goro.

Këshilli i bashkisë së Himarës përbëhet nga 20 këshilltarë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe një këshilltar të Bindjes Demokratike. Kryetar i këtij këshilli u zgjodh Dhimiter Kapaj dhe zv/kryetare Mirka Gicoli.

Deputeti Gjiknuri duke i uruar suksese Goros në mandatin e ri si kryetar i bashkisë së Himarës shprehet se “përtej vazhdimit të projekteve transformuese, në këto 4 vite të ardhshme, sfidë e bashkisë do të jetë zbatimi i ligjit të ri për kadastrën, për ti dhënë zgjidhje shqetësimit të kahershëm të banorëve të kësaj zone”. Në zgjedhjet lokale të 30 qershorit Jorgo Goro mori gjithsej 4209 vota.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re