Partia populiste e djathtë FPÖ ka hedhur rrënjë prej kohësh në Austri, mendon politologu Heinz Gärtner. Nga nxjerrja e Austrisë prej BE, FPÖ ka kohë që ka hequr dorë.

DW: Më shumë se 26 përqind për FPÖ-në, ky është rezultati më i mirë për Partinë e Lirisë që prej vitit 1999. Çfarë flet pro një koalicioni midis fitueses së zgjedhjeve, ÖVP dhe FPÖ-së?

Gärtner: Është pikërisht tema me të cilën ka fituar vota të dyja partitë. Migrimi, refugjatët, imigrimi. Në këtë fushë politike ka përkime të mëdha. Një mundësi duket e afërt që ata të bien dakord për një koalicion. Megjithatë duhet thënë: mund të çojë në një lloj konflikti. Sepse kush do ta ketë fjalën e fundit kur të bëhet fjalë për ligje të reja pë imigrimin? Kush do ta drejtojë Ministrinë e Brendshme? Kjo mund të krijojë tensione, por shumëçka flet fort për një koalicion ÖVP-FPÖ.
ÖVP-ja nën Sebastian Kurz-in u zhvendos shumë nga e djathta në çështjet e refugjatëve dhe të politikës kundër të huajve, megjithatë kjo nuk i mori vota FPÖ-së. Kjo është e pazakontë: si shpjegohet kjo?
Kjo është e drejtë, por duke u nisur nga ndjenja, pa qenë në gjendje që ta vërtetoj në mënyrë empirike me saktësi, Kurz dhe ÖVP ishin në fazën e fundit të fushatës elektorale shumë më të ashpër se FPÖ -ja, përsa i përket migrimit. Kurz-i mori një qëndrim shumë më të ashpër kundër fesë islame dhe islamizmit, se FPÖ. Shumë zgjedhës, që e mbështesin këtë këndvështrim, do të kishin kaluar normalisht në kampin e FPÖ-së. Por deklaratat e ashpra të Kurz-it bënë që ÖVP dhe kandidati i saj kryesor të jenë ata që mblodhën pikë.
Ekzistojnë natyrisht edhe zgjedhësit tradicionalë të FPÖ-së, që i mbeten asaj besnikë. FPÖ-ja u forcua në dekadat e fundit, kur tema e refugjatëve dhe e imigrimit nuk ekzistonte fare si temë e madhe politike. Prandaj mund të thuhet se FPÖ-ja po përjeton një rritje në njëfarë mënyre “të natyrshme”. Dhe kjo i dallon ata natyrisht nga partitë e tjera të djathta, si AfD, që sapo e kanë nisur punën.
Si do të shprehet politikisht zhvendosja nga e djathta në Austri? A do të kemi një “Orbanizim” si në Hungari?
Një koalicion të tillë e kemi pasur njëherë, në fillim deri në mes të dekadës së fundit. Në politikën e brendshme pati shkurtime të mëdha në shërbimet sociale, edhe e drejta penale u ashpërsua. Kur flisni për një “Orbanizim”: do të ketë një afrim me shtetet e Vishegradit, për këtë jam shumë i sigurtë. Gjë që në parim për mua nuk është negative, kur ke marrëdhënie më të mira me shtetet fqinjë. Një “Orbanizim” është ndoshta një term i gjerë, por mendoj që do të ecim në drejtim të një demokracie luajale, pra kur kërkohet 100% besnikëri, pa ardhur në dobësim ose shpërbërje të strukturave demokratike. Po koncepti “demokraci luajale” do ta përshkruante fare mirë. Ai nuk shkon kaq larg sa Orbani në Hungari./DW
Prof. Heinz Gärtner është politolog në Universitetin e Vjenës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re